Ishte një vajzë që kërkonte shkollim, tash bashkon komunitete
Ka 13 vjet që Arjeta Islami është pjesë e organizatës The Ideas Partnership në Fushë Kosovë.
Si pjesëtare e këtij komunitetit të fundit, Islami thotë se puna në organizatë i ka ofruar jo vetëm mundësi profesionale, por edhe përvoja që kanë ndihmuar në ndërtimin e urave mes të gjitha etnive.
Të njëjtën përvojë e ndan edhe bashkëkombasi i saj, Hysni Hasani, që si koordinator në këtë qendër thotë se puna me kolegë nga komunitete të ndryshme karakterizohet nga komunikimi i vazhdueshëm.
Përtej dallimeve, qëllimi i përbashkët për t'u ardhur në ndihmë njerëzve ka krijuar një gjuhë të përbashkët mes tyre.
Ky bashkëpunim reflektohet edhe në aktivitetet e përditshme të organizatës, ku të rinjë nga komunitete të ndryshme angazhohen në mbështetjen e fëmijëve dhe nxënësve. Ata kontribuojnë si asistentë në punën me fëmijët e kopshtit dhe nxënësit e shkollave fillore, duke krijuar një mjedis ku bashkëpunimi dhe mirëkuptimi ndërtohen që në moshë të hershme.
Ai thotë se përfshirja e komuniteteve të ndryshme në staf jo vetëm që ka ndihmuar në krijimin e besimit te qytetarët, por edhe në kuptimin më të mirë të nevojave të tyre.
Arbon Osmani, drejtor ekzekutiv, The Ideas Partnership
Por gjithë kjo histori suksesi nuk nisi me një projekt apo strategji të planifikuar.
Bashkëthemeluesja e organizatës, Elizabeth Goëing, thotë se gjithçka filloi para 15 viteve nga një takim i rastësishëm me një vajzë nëntëvjeçare nga komuniteti ashkali, e cila dëshironte të shkonte në shkollë, por nuk ishte pranuar.
“Ideja ka fillu me një varg qëllimesh, se punojmë, kemi punu edhe vazhdojmë me punu edhe me ambientin, edhe me trashëgiminë kulturore, por unë jam mësuese me profesion, pra më së shumti për arsimin, por jo veçanërisht për komunitetet pakice në atë kohë kur kemi themelu organizatën…. … Mirëpo, krejt puna edhe natyra e organizatës ka ndryshu kur unë jam taku rastësisht me një vajzë nga komuniteti ashkali, vajzë 9-vjeçare, Xhelanja, edhe ajo më ka tregu që ajo ka dëshirë me shku në shkollë, edhe shkolla nuk e ka pranu…. …Pra, unë si mësuese kam thënë që unë mundem me të mësu në mënyrë që ti mundesh me kalu testin që e ka vendosë shkolla si një farë barrierë për pjesëmarrjen në shkollë. Edhe ideja, ose përgjigjja e saj ishte shumë interesante, kur kam thënë: "Hajde edhe ta mësojmë bashkë çdo ditë", ajo thotë: "A mund të vijnë edhe shoqet e mia?" Edhe kjo më ka bërë shumë përshtypje, sepse faktikisht kjo është mënyra më transformuese që mundesh me reagu ndaj një mundësie. Jo vetëm me marrë atë mundësi për veten, por edhe a mundem me ardhë edhe shoqëria ime. Edhe kështu ka thënë ajo, edhe prej një fëmije u zgjeru në një aktivitet”, tha ajo.
Sipas Goëing, paragjykimet thyhen më lehtë kur njerëzit njihen dhe bashkëpunojnë me njëri-tjetrin.Elizabeth Gowing, bashkëthemeluese e The Ideas Partnership
“Po, bashkëpunimi është shumë i mirë, edhe më pëlqen sepse ne nuk e bëjmë bashkëpunimin mes komuniteteve si një projekt….… Ne e bëjmë përmes aktivitetit që njerëz që kanë një qëllim të përbashkët, hasin njëri-tjetrin gjatë punës. Jo që atë bashkëpunim është qëllimi në vetvete, por kjo del rrugës edhe në mënyrë natyrshme. Edhe kjo vjen më së shumti përmes vullnetarizmit, sepse kemi vullnetarë të komuniteteve rrome ashkali-egjiptiane, që janë në këtë lagje edhe lagjet përreth qendrës së tjera. Por kemi edhe vullnetarë që janë prej komunitetit shumic, edhe ata vullnetarët vijnë në qendrat, edhe shoqërohen mes vete, rini me rini, ose një student që punon si vullnetar në qerdhe çdo javë, edhe ata kështu njohin me individët, jo me komunitet si një grup që është si diçka e huaj”, tha ajo.
Elizabeth Gowing, bashkëthemeluese e The Ideas Partnership
Përveç mbështetjes në arsim dhe aktiviteteve komunitare, organizata ofron edhe shërbime që lidhen me mirëqenien dhe shëndetin e familjeve.
Çdo të shtunë, shqiptarja Mirnie Gujnovci zhvillon këshillime shëndetësore për gratë dhe vajzat nga komunitete të ndryshme në Fushë Kosovë, duke trajtuar tema që lidhen me shëndetin e tyre dhe fëmijëve.
“Unë asnjëherë nuk kam pas problem. Unë shumë kam punu nëpër komunitete, shumë kom hynë nëpër shtëpi atyne, ku i kemi bë vizitat që i kena bë nëpër shtëpi. Për shtatzëna, për bebat e vogla, për fëmijë deri në 3 vjeç, për vaksinim, vaksinim nëpër shtëpia. Nuk kom pasë kurrë problem, kurrë s'kanë hezitu. As unë nuk kom hezitu po as ata nuk kanë hezitu. Se unë me kolegët këtu kaloj shumë mirë. Nuk e di, unë nuk muj me dallu a është një komunitet i tjetër, apo çfarë komuniteti është….…Mënyra qysh na pranojnë është shumë e mirë. Ata na pranojnë, i bëjmë atë vizitë që kena me ba për grunë. Këshillimi, me pa terapinë qysh ka me marrë beba sa është i vogël, varet prej moshës së bebës, çfarë këshilla me i dhënë”, tha ajo.
Organizata “The Ideas Partnership” mbështetet nga organizatat dhe fondacionet humanitare por edhe nga agjenciotë shtetërore zhvillimore. Kryesoret prej tyre janë UNDP, UNICEF, UN Volunteers, Save the Children, yhe Rockfeller Brothers Foundation, si dhe ambasadat e Britanisë së Madhe, SHBA-së, Finlandës dhe Austrisë.
Kjo storie është realizuar nga Qendra për Inovacion dhe Zhvillim -CFID dhe Kosovapress, në kuadër të një projektit të përbashkët me UNMIK-un që synon ndërtimin e mirëbesimit në mes të komuniteteve në Kosovë.
