Ndërsa po afrohet afati përfundimtar për regjistrimin e koalicioneve parazgjedhore për zgjedhjet e 7 shkurtit, skena politike në vend mbetet e paqartë sa i përket bashkëpunimeve mes partive. Subjektet kryesore politike po kalkulojnë ende mënyrën se si do të garojnë të dielën e parë të qershorit, duke lënë të hapur opsionin e koalicioneve por daljen “single” në zgjedhje, raporton KosovaPress.
Dy ditë para përfundimit të afatit për koalicione parazgjedhore, në Lëvizjen Vetëvendosje konfirmuan se janë të gatshëm të bëjnë koalicion formal parazgjedhor me partinë Guxo, Alternativa-n dhe PSHDK-në.
“Kemi pasur një bashkëpunim korrekt dhe profesional, andaj edhe parimisht besoj se do të vazhdojmë bashkëpunimin tutje. Nuk është se kemi marrë vendim formal deri më tani, por besoj se do të jemi bashkë... Brenda afatit do të paraqesim kërkesën dhe koalicionin tonë. Besoj se do të jetë njëjtë sikurse në zgjedhjet e kaluara të 28 dhjetorit”, deklaron Nagavci.
Në PDK janë më të rezervuar sa u përket koalicioneve parazgjedhore.I pyetur për mundësitë që Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limaj t’i bashkohet Partisë Demokratike, ai tha se nuk ka ndonjë iniciativë serioze në këtë drejtim.
“Duke e parë që ligji nuk është i favorshëm për koalicione parazgjedhore, ne ka vite që kemi zgjedhur që të garojmë si parti. Kuptohet se në kuadër të listës tonë kemi përfshirë edhe aleatë të tjerë, të cilët kanë me kontribuar dhe fituar mandatin në kuadër të PDK-së. Por gjithsesi kjo mbetet organeve drejtuese të PDK-së sesi do të garojnë në zgjedhje... Nuk kemi parë ndonjë iniciativë serioze në këtë fushë, të them të drejtën, dhe diçka hipotetike nuk mundem me komentu”, thekson Gjoshi.
KosovaPress gjatë ditës ka provuar të marrë një qëndrim nga Lidhja Demokratike e Kosovës për koalicionet parazgjedhore dhe formën e bashkëpunimit me ish presidenten Vjosa Osmani.
Në lidhje me këtë, analisti politik, Adrian Zeqiri, e sheh të mundshme që Osmani të garojë së bashku me LDK-në në zgjedhjet e ardhshme.
Sipas tij, Osmani me shumë gjasë do të formojë një listë qytetarësh dhe pastaj të përfshihet në listën e LDK-së ose do të bëjë koalicion formal parazgjedhor.
Zgjedhjet parlamentare të parakohshme po mbahen pas dështimit për ta zgjedhur presidentin e vendit, deri më 28 prill, afat ky që kishte vendosur Gjykata Kushtetuese. Votimet e fundit në nivel nacional janë mbajtur para pesë muajsh, më 28 dhjetor 2025. /E. Zeqiri/