Shoqëria civile kërkon thirrjen e seancës konstituive, Presidenca: Duhet t’i lihet kohë partive për marrëveshje
Tema
Lexohet për: 4 min.
Dëgjoje me zë...
Shoqëria civile kërkon thirrjen e seancës konstituive, Presidenca: Duhet t’i lihet kohë partive për marrëveshje
Seanca Plenare e Kuvendit Te Kosoves 2020 (1)
Foto Ilustruese
15/07/2026 - 15:41
Linku u kopjua

Tetë ditë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit, organizatat e shoqërisë civile po kërkojnë që të mos ketë vonesa të mëtejshme në thirrjen e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Megjithatë, në Presidencë e shohin të nevojshme që partive parlamentare t’iu lihet hapësira e nevojshme për të zhvilluar negociata për të arritur një marrëveshje politike që do të mundësonte formimin e institucioneve, përfshirë edhe zgjedhjen e presidentit. Sipas Kushtetutës, seanca konstituive duhet të mbahet brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve, afat që në këtë rast përfundon më 7 gusht, raporton KosovaPress.

Kërkesa për konstituimin e Kuvendit vjen në kohën kur javën e kaluar kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, zhvilloi takime të ndara me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, dhe me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, në kuadër të përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje për formimin e institucioneve. Megjithatë, nga këto takime nuk u njoftua për ndonjë marrëveshje konkrete.

Në Presidencë thonë për KosovaPress se ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, po vepron në përputhje me kompetencat dhe afatet kushtetuese, me synimin që Kuvendi i ri të konstituohet me një perspektivë reale për krijimin e institucioneve dhe shmangien e një bllokade tjetër.

“U.D. Presidentja Haxhiu do ta thërrasë seancën konstituive të Kuvendit brenda afatit të përcaktuar me Kushtetutë. Kushtetuta përcakton që seanca konstituive e Kuvendit thirret nga Presidenti/ja brenda 30 ditësh nga shpallja zyrtare e rezultateve të zgjedhjeve. Në rastin konkret, ky afat përfundon më 7 gusht. Duke pasur parasysh që afati për zgjedhjen e Presidentit është 60 ditë dhe fillon nga dita e konstituimit të Kuvendit, U.D. Presidentja Haxhiu vlerëson se partive politike duhet t’u lihet koha dhe hapësira e nevojshme për bisedime dhe për arritjen e marrëveshjes që i duhet vendit për zgjedhjen e presidentit. U.D. Presidentja po vepron brenda kompetencave dhe afateve kushtetuese, duke synuar që Kuvendi i ri të konstituohet me një perspektivë reale për krijimin e institucioneve dhe për shmangien e një bllokade tjetër”, thuhet në përgjigjen e kabinetit të Haxhiut për KosovaPress.

Mirëpo, pavarësisht diskutimeve politike për formimin e institucioneve të reja, hulumtuesi i Institutit Demokratik të Kosovës, Vullnet Bugaqku, vlerëson se tashmë nuk ka asnjë arsye për ta shtyrë caktimin e datës së seancës konstituive. Sipas tij, edhe nëse janë duke u zhvilluar diskutime politike, ato nuk duhet ta pengojnë konstituimin e Kuvendit, ndërsa liderët e partive duhet të jenë më transparentë lidhur me vullnetin e tyre për arritjen e një marrëveshjeje për formimin e institucioneve.

Në anën tjetër, hulumtuesi i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Naim Jakaj, vlerëson se një shtyrje e seancës konstituive mund të arsyetohet vetëm nëse shfrytëzohet për konsultime të vazhdueshme dhe intensive mes partive politike. Sipas tij, në mungesë të takimeve dhe negociatave konkrete, nuk ka bazë për vonimin e thirrjes së seancës.

Jakaj shton se, duke qenë se për zgjedhjen e presidentit nevojitet një marrëveshje më e gjerë politike, do të ishte e arsyeshme që brenda afatit kushtetues 30-ditor të arrihej një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes partive, në mënyrë që konstituimi i Kuvendit, formimi i Qeverisë dhe procesi i zgjedhjes së presidentit të ecin pa bllokada.

Lideri i LVV-së, njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurti, më 10 korrik është takuar ndaras me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për të diskutuar për formimin e institucioneve të reja. Ani pse nuk pati ndonjë marrëveshje, sipas Kurtit, takimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

Këto takime erdhën pasi KQZ-ja certifikoi rezultatin e zgjedhjeve më 8 korrik. Nga këto zgjedhje, parti e parë ka dalë Lëvizja Vetëvendosje me 47.13%, apo 53 ulëse në Kuvend. E dyta, Partia Demokratike e Kosovës, me 19.44%, apo 22 deputetë. Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës, me 16.69%, ka fituar 18 ulëse, si dhe Aleanca, me 6.74%, shtatë ulëse. Kurse komunitetet joshumicë kanë siguruar 20 ulëse. /E. Zeqiri/

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026