“Më mirë vonë se kurrë”, paralajmërohet ngritja e aktakuzës për krimet ndaj Jasharëve
Më shumë se 28 vjet pas krimit të kryer mbi familjen Jashari në Prekaz nga okupatori serb, Prokuroria Speciale e Kosovës pritet të finalizojë së shpejti aktakuzën ndaj autorëve të dyshuar.
Nga Prokuroria Speciale kanë bërë të ditur se rasti është duke u trajtuar me prioritet, ndërsa paralajmërimi për aktakuzë po mirëpritet nga njohës të drejtësisë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe familjarë të viktimave, ndonëse vlerësohet si i vonuar.
Nënkryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Naim Rudari, thotë se një aktakuzë e tillë është e nevojshme për të argumentuar në mënyrë institucionale krimet e kryera në Kosovë, veçanërisht ndaj familjes Jashari.
Sipas njohurive të Odës, Prokuroria ka siguruar prova, ndonëse avokatët sipas ligjit do të mbrojnë të akuzuarit në mungesë.
Ai tha se Prokuroria Speciale duhet të lëshojë letër ndërkombëtarë, kudo që ndodhen të akuzuarit, që të gjykohen për krimet që kanë bërë.
“Është një lajm i mirëpritur, i domosdoshëm për të argumentuar në mënyrë institucionale krimet që janë bërë në Kosovë e kryesisht në familjen Jashari. Ndonëse kjo është paska e vonuar, ne kemi njohuri që Prokuroria ka siguruar prova, sepse kemi shumë avokatë të angazhuar sipas detyrës zyrtare edhe pse ata duhet të mbrojnë dhe përfaqësojnë disa të akuzuar në mungesë, duhet të bëjnë punën e tyre, janë zë i të akuzuarve por mbi të gjitha ata mbrojnë drejtësinë, mbrojtja është e detyrueshme.. Do të duhej të ishte shumë më parë një aktakuzë e tillë, krimet e luftës janë raste që nuk parashkruhen dhe prapë është një thënie më mirë vonë sesa kurrë dhe më parë nuk kemi pasur edhe legjislaturë për këtë çështje, për gjykim në mungesë, tani kemi mundësi, vetëm se nevojitet angazhim më i madh i prokurorisë në gjykata, të lëshoj letër ndërkombëtare që kudo që ndodhen ata që kanë bërë krime të gjykohen dhe ta marrin vendimin e merituar”, tha Rudari.
Edhe Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare, tha se pas hyrjes në fuqi të gjykimeve në mungesë, Prokuroria Speciale ka nisur ngritjen e aktakuzave për krime lufte.
Sipas tij, çdo aktakuzë dhe proces penal për krimet e luftës është i mirëseardhur, pasi viktimat presin drejtësi tash e mbi 28 vjet.
Ndërkaq, Sala Jashari, anëtare e familjes Jashari, tha se ngritja e kësaj çështjeje është e duhur, por shumë e vonuar.
Sipas saj, në lagjen Jashari ka ende të pagjetur, e për këtë armiku duhet të dënohet për krimet e bëra gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Gjatë luftës së fundit në Kosovë, në lagjen e Jasharëve në Prekaz, 55 persona mbetën të vrarë, 22 prej të cilëve, familjarë të ngushtë të komandantit legjendar Adem Jashari, i cili prej kohësh ishte bërë cak i shtetit serb.
/Kosovapress/