Përdorimi sa më i madh i Raportit Evropian të Aksidentit, po vlerësohet si mënyrë efikase e zgjidhjes së kontesteve pas aksidenteve në trafik. Kjo, duke e zhbllokuar komunikacionin më shpejt, krahas trajtimit më të shpejtë të dëmeve.
Apeli për përdorimin e këtij raporti u dha sot nga Byroja Kosovare e Sigurimit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe me mbështetjen e Bankës Qendrore të Kosovës, kur e lansuan fushatën vetëdijësuese për përdorimin e tij.
“Rëndësia e kësaj fushate bëhet edhe më e qartë kur shohim statistikat. Në pesëmujorin e parë të vitit 2026 janë regjistruar gjithsej 8 mijë e 400 aksidente, nga të cilat 5 mijë e 52 aksidente kanë qenë aksidente me dëme materiale. Kjo do të thotë se mijëra qytetarë çdo ditë ballafaqohen me procedura pas aksidenteve të veta, të cilat mund të zgjidhen shumë shpejt përmes përdorimit korrekt të Raportit Evropian të Aksidenteve. Qëllimi ynë është që çdo qytetar të dijë se kur dhe si duhet të përdoret Raporti Evropian i Aksidenteve. Përdorimi i raportit evropian nënkupton më pak pritje në vendngjarje, më pak bllokim të trafikut dhe trajtim më të shpejtë të dëmeve, si dhe një shërbim më efikas për qytetarët”, tha ajo.
Drejtori i Trafikut Rrugor në Policinë e Kosovës, Jeton Rexhepi, tha se përdorimi i raportit evropian të aksidentit do të ndikojë në uljen e angazhimit të policëve në rastet e aksidenteve me dëme materiale.Përfaqësuesi i kompanive të sigurimeve, Përparim Drini, tha se sektori ka shënuar progres, por ende ka hapësirë të madhe për zhvillim dhe afrim me standardet evropiane.
“Sektori ka bërë një progres të konsiderueshëm dhe njëkohësisht ka ende potencial të madh për zgjerim dhe diversifikim. Penetrimi i sigurimeve në Kosovë ende mbetet i ulët nëse e krahasojmë me shtetet e rajonit e sidomos me shtetet e Bashkimit Evropian ku është qëllimi ynë. Raporti evropian i aksidenteve është një dokument standard i përdorur në më shumë se 40 vende evropiane dhe përfaqëson praktikën më të avancuar për dokumentimin e aksidenteve materiale, pa të lënduar”, tha ai.