Nga sonte, qyteti historik i Prizrenit e hap edicionin e pestë të PrizrenFest – Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Ambient të Hapur, i cili deri më 27 korrik do ta shndërrojë qytetin në një skenë të madhe artistike, ku teatri, vallëzimi, muzika, performanca dhe hapësirat publike bashkohen në një përvojë të veçantë kulturore.
Për shtatë ditë me radhë, PrizrenFest do të mirëpresë mbi 250 artistë, regjisorë, performerë dhe teknikë artistikë nga vende të ndryshme të botës, të cilët do të prezantojnë mbi 20 shfaqje, performanca, punëtori dhe aktivitete artistike, duke e bërë këtë edicion më të madhin dhe më ambiciozin që nga themelimi i festivalit.
Drejtori i Përgjithshëm i PrizrenFest, Shkelzen Veseli thotë se edicioni i pesë shënon një moment të rëndësishëm në konsolidimin e festivalit si një nga ngjarjet më të rëndësishme teatrore dhe kulturore në rajon.
Sipas tij, rritja e vazhdueshme e festivalit është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë me artistë, partnerë institucional, sponsorë dhe komunitetin, duke e shndërruar PrizrenFest në një platformë ndërkombëtare që promovon dialogun kulturor, krijimtarinë artistike dhe imazhin e Prizrenit në arenën ndërkombëtare."PrizrenFest ka lindur me bindjen se teatri mund ta transformojë mënyrën se si e përjetojmë qytetin dhe mënyrën se si komunikojmë me njëri-tjetrin. Për këtë arsye edhe këtë vit kemi përzgjedhur shfaqje që jo vetëm mahnitin estetikisht, por edhe sfidojnë ndërgjegjen tonë kolektive.
Programi i këtij viti sjell produksione që trajtojnë çështje sociale, historike dhe njerëzore, duke dëshmuar fuqinë e teatrit për të reflektuar mbi realitetin dhe për të krijuar dialog.
Një moment shume i rendesishem për festivalin dhe publikun kosovar do të jetë edhe ardhja për herë të parë në Kosovë e Teatrit Kombëtar të Stambollit, me komedinë klasike "Lysistrata" të Aristofanit. Me një kastë të përbërë ekskluzivisht nga aktore gra, kjo vepër ikonike rikthehet në skenë me një interpretim bashkëkohor që trajton luftën, paqen dhe fuqinë e grave përmes humorit dhe satirës.
Nga Madridi vjen produksioni "Última Planta", me regji të José Ëarletta, i cili do të interpretohet në ambientet historike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, duke krijuar një dialog mes teatrit bashkëkohor dhe një prej monumenteve më të rëndësishme të historisë shqiptare.
PrizrenFest vazhdon t'i kushtojë rëndësi të veçantë edhe publikut më të ri. Programi përfshin punëtori krijuese, aktivitete edukative dhe një seri shfaqjesh për fëmijë, të cilat do të hapen me baletin klasik "Liqeni i Mjellmave", duke krijuar një urë të bukur mes artit klasik dhe brezave të rinj.
"Nga një skenë e ndërtuar mbi lumin Lumbardh, te Burgu i Qytetit, Kisha Katolike 'Zoja Ndihmëtare', Autostrada Hangar, Parku i Qytetit dhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Kej I Sinan Pashes ne kemi dashur që çdo hapësirë të flasë bashkë me artistët. PrizrenFest nuk është vetëm një festival shfaqjesh; është një mënyrë për ta jetuar qytetin ndryshe dhe për ta kthyer çdo cep të tij në një vend takimi mes artit dhe publikut”, thote drejtori artistik Adrian Morina.
Për vetëm shtatë ditë, Prizreni do të jetë një pikëtakim të rëndësishëm të teatrit bashkëkohor në Evropën Juglindore.
Edicioni i pestë i PrizrenFest realizohet me mbështetjen e Komunës së Prizrenit, Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, sponsorit gjeneral Banka Ekonomike, si dhe një numri të madh partnerësh e biznesesh vendore që vazhdojnë të mbështesin zhvillimin e artit dhe kulturës, përfshirë këtu edhe agjencinë e lajmeve “KosovaPress”.
Mbështetje këtij edicioni i japin edhe ambasadat e Italisë, Francës dhe Sllovenisë, Presidenca e Republikës së Kosovës, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, si edhe partnerë të tjerë institucionalë.