Fadil Vokrri ishte futbollist i madh, por stadiumi që mban emrin e tij, është shumë i vogël.
13 mijë ulëset e tij nuk mjaftojnë që të pranojnë të gjithë ata që duan të vijnë e të shohin futboll, kur këtu luan kombëtarja e Kosovës.
Mundësitë që Kosova ta kishte një projekt të tillë për të bërë realitet ishin, por shanset që lindën 10 vjet më parë, u venitën, për faj të atyre që nuk luajnë, por të cilët bëjnë politikë.
KosovaPress mëson se stadiumi ishte planifikuar të kishte rreth 30 mijë ulëse dhe të ndërtohej sipas standardeve të UEFA-s dhe FIFA-s, me një kosto që kapte vlerën mbi 50 milionë euro dhe e cila mund të arrinte edhe deri në rreth 80 milionë, për shkak të objekteve përcjellëse, si fusha ndihmëse dhe infrastruktura tjetër sportive.
Kushti i vetëm që kishte kërkuar shteti hungarez, ishte që 60 për qind e stadiumit të ndërtohet nga kompanitë e këtij shteti, ndërsa pjesa tjetër, nga ato kosovare.
KosovaPress ka dërguar disa pyetje te Ambasada Hungareze në Prishtinë, për të mësuar versionin e Budapestit për dështimin e projektit por ende nuk ka marrë përgjigje. Ato do të publikohen kurdo që ambasada i kthen.
Pavarësisht këtij dështimi, përpjekjet për një stadium nacional e modern vazhduan edhe më tutje dhe në vitin 2019 u duk se diçka më konkrete përfundimisht po bëhej. Në qershorin e atij viti, në Muzeun e Kosovës u prezantuar projekti i Stadiumit Kombëtar, i cili do të ndërtohej në Korroticë.
Në prezantimin e tij pati marrë pjesë edhe ish-kryeparlamentari Kadri Veseli, ish-ministri i sportit Kujtim Gashi, kryetari i FFK-s, Agim Ademi e shumë figura të tjera.
Megjithatë, edhe ky projekt pati fatin e atij të mëhershëm, mbeti vetëm në letër.
“Ne e inicuam hartimin e projektit për fizibilitet. I njëjti si projekt ka përfunduar dhe po ashtu ne e kemi prezantuar përmes maketës se si do të duhej, dukej stadiumi kombëtar, përfshirë këtu edhe sigurimin e lokacionit prej afër 20 hektarësh, të cilin Komuna e Drenasit e ka bartur në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, i cili i është dedikuar për ndërtimin e stadiumit kombëtar, me një kosto prej zero euro, pasi që ky projekt, kjo hapësirë e tokës ka qenë pronë publike e shtetit dhe i është dhuruar Ministrisë së Kulturës për me e ndërtuar stadiumin”, theksoi Gashi për KosovaPress.
Derisa ky stadium të bëhet, Kosova mbetet vetëm më atë “Fadil Vokrri”, për ndeshje të nivelit të UEFA-së dhe FIFA-s. Mbase, pas ndonjë viti, atij mund t’i shtohet edhe “vëllai” nga Mitrovica, që mban emrin e kryetrimit të Kosovës “Adem Jashari”.
Por, as ky nuk pritet të ketë kapacitet të bollshëm për të kënaqur krejt apetitet e tifozëve të shtetit, kur këtu pritët të luajë kombëtarja A e futbollit, të paktën.Ky, megjithatë, nuk do të jetë ai që e presin të gjithë – nacional.
KosovaPress