Në 36-vjetorin e Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, ish-delegatët e asaj kohe u kanë bërë thirrje deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Kosovës që të lënë anash interesat personale e partiake dhe të konstituojnë sa më parë institucionet e reja të vendit, pas zgjedhjeve të 7 qershorit.
Ish-delegati Jakup Bullatovci tha se deputetët duhet të jenë unifikues dhe të vendosin interesin shtetëror mbi atë personal, duke kujtuar unitetin që, sipas tij, karakterizoi delegatët e vitit 1990.
Ndërkaq, ish-delegati Agush Balaj u bëri thirrje deputetëve që të përkushtohen në përmbushjen e përgjegjësive të tyre dhe të punojnë për interesin e qytetarëve. Ai kërkoi që pas zgjedhjeve, të konstituohet Kuvendi, të formohet Qeveria dhe të zgjidhet presidenti, duke apeluar që përfaqësuesit politikë të mos udhëhiqen nga egoja apo interesat partiake.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit më 27 qershor.Krahas konstituimit dhe formimit të qeverisë, deputetët e legjislaturës së njëmbëdhjetë duhet edhe ta zgjedhin presidentin e ri, për të cilin ka afat 60 ditë prej momentit të konstituimit të Kuvendit.
Zgjedhjet e 7 qershorit janë mbajtur pikërisht për shkak të dështimit të partive parlamentare për ta zgjedhur presidentin e vendit, pas përfundimit të mandatit të ish-presidentes Vjosa Osmani.