Shqipëria dhe Mali i Zi do t’i mbyllin kapitujt e radhës në bisedimet e tyre me Bashkimin Evropian për anëtarësim në bllokun evropian, gjatë një konference të martën e ardhshme.
Shqipëria do t’i mbyllë tre kapituj për herë të parë, pra kapitujt 25, 26 dhe 30, ndërsa Mali i Zi do t’i mbyllë përkohësisht dy kapituj, 8 dhe 29.
Përveç Malit të Zi dhe Shqipërisë, konferenca ndërqeveritare do të mbahen edhe me Ukrainën dhe Moldavinë. Me këtë rast, këto dy vende do të hapin nga një kapitull.
Nga të gjitha gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria dhe Mali i Zi vlerësohet se kanë përparuar dukshëm në rrugën drejt anëtarësimit në BE, dhe janë në bisedime aktive.Kjo e lë Kosovën si vendin e vetëm nga rajoni pa statusin e vendit kandidat, rreth katër vjet pasi aplikoi.
Ndërkohë, institucionet evropiane kërkuan të organizonin gjithsej pesë konferenca ndërqeveritare në të njëjtën ditë, pasi fillimisht shpresohej që edhe Serbisë do t’i jepej drita e gjelbër për të hapur kapitullin 3.
Irlanda, e cila mban presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian deri më 31 dhjetor të këtij viti, synon t’i përfundojë bisedimet për pranim me Malin e Zi gjatë presidencës së saj gjashtëmujore.
Komisioni Evropian ka miratuar gjithashtu një kornizë financiare për Malin e Zi, e cila parashikon pothuajse 3.2 miliardë euro, bazuar në supozimin se vendi mund të bëhet anëtar i plotë i Bashkimit Evropian në vitin 2028.