Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit (MIT) ka njoftuar të premten se ka nisur sanimi i pjesës së parë të rrugës rajonale R115, nga Prevalla në drejtim të Shtërpcës, e cila ishte dëmtuar. Duke qenë se bëhet fjalë për një zonë turistike me qarkullim të lartë, përfundimi i punimeve pritet të mundësojë lëvizje më të sigurt dhe më të lehtë për banorët, qytetarët dhe vizitorët që frekuentojnë këtë destinacion, thuhet në një kumtesë të lëshuar nga ky dikaster i qeverisë, transmeton KosovaPress.
Ministria po ashtu ka bërë të ditur se po vazhdojnë punimet edhe në rrugën Kaçanik–Kërbliq–Viti, projekt me vlerë mbi 2 milionë euro, i cili përfshin një segment rreth 11 kilometra të gjatë dhe 5 metra të gjerë. Në javët në vijim pritet të nisë asfaltimi, duke shënuar një etapë të rëndësishme drejt përfundimit të investimit.