Gërvalla: Suksesi në luftën kundër dhunës matet me jetët që mbrojmë"
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Gërvalla: Suksesi në luftën kundër dhunës matet me jetët që mbrojmë"
gervalla dhuna
16/06/2026 - 14:27
Linku u kopjua

“Secila grua, secila vajzë, në fakt secili person që përballet me dhunë duhet ta dijë se institucionet do të jenë pranë tyre, se zëri i tyre do të dëgjohet dhe se siguria e tyre do të mbetet prioritet i yni”.

Kështu deklaroi, tw martwn, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, në hapjen e takimit të parë ndërministror kundër dhunës, në cilësinë e Koordinatores Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore.

Ajo tha se Kosova ka shënuar përparim të rëndësishëm në forcimin e mbrojtjes nga dhuna, përmes avancimit të kornizës ligjore, politikave publike, koordinimit ndërinstitucional dhe zgjerimit të shërbimeve mbështetëse për viktimat.

Ajo veçoi si një nga arritjet kryesore miratimin e Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore, duke theksuar se është rritur edhe vetëdija institucionale dhe shoqërore për trajtimin e rasteve të dhunës.

Sipas saj, pas çdo rasti qëndron pritja legjitime e qytetarëve që institucionet të veprojnë me profesionalizëm, ndjeshmëri dhe përgjegjësi.

Duke folur për rolin e Grupit Koordinues, Gërvalla theksoi se luftimi i dhunës nuk është përgjegjësi e një institucioni të vetëm, por kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm dhe angazhim të përbashkët nga të gjitha institucionet përkatëse.

Ajo shtoi se, me afrimin e përfundimit të Strategjisë Kombëtare 2022–2026, duhet të nisë planifikimi i prioriteteve të reja, bazuar në përvojën e deritanishme, rekomandimet e partnerëve dhe nevojat reale të qytetarëve.

Në përmbyllje të takimit, Gërvalla tha se suksesi në luftimin e dhunës nuk matet me numrin e strategjive apo mekanizmave të ngritur, por me sigurinë që u ofrohet qytetarëve, besimin që krijohet dhe jetët që mbrohen. /KosovaPress/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026