Demo Berisha është një shqiptar i lindur në Pejë më 1963, që kryen detyrën e ministrit për të Drejtat e Njeriut, të Drejtat e Pakicave dhe Dialogun Shoqëror në qeverinë e Serbisë.
Ai jeton në Serbi, ku deri në pensionim ka shërbyer si oficer i ushtrisë së këtij shteti, e paraprakisht edhe i asaj të ish Jugosllavisë.
Në një komunikim për medie, Berisha, vlerësoi sot se ajo çfarë tha Panunoviq në një intervistë në Kurir, “është shprehje e përvojës së saj të dhimbshme familjare dhe jo një qëndrim që pasqyron politikën zyrtare të shtetit serb”.
Ai pretendoi gjithashtu se “serbët në Kosovë prej vitesh janë të ekspozuar ndaj presioneve dhe cenimit të të drejtave themelore’.
Deklarata të këtilla të Berishës ndaj autoriteteve të Republikës së Kosovës nuk janë të rralla. Përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, zonë kjo ku jetojnë shumë shqiptarë, e quajnë atë një “shqiptar të ndershëm dhe lojal” ndaj Serbisë, ndërsa thonë se ai nuk e njeh shtetësinë e Kosovës. Të njëjtit kanë thënë se Berisha nuk i përfaqëson ata, por as interesat e shqiptarëve të Luginës. Shaip Kamberi, deputeti shqiptar në parlamentin e Serbisë e ka quajtur Berishën “shqiptar të rremë” dhe tradhtar të popullit të tij, sipas një shkrimi të mëhershëm në portalin “Bujanovacke”. /KosovaPress/