Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka shprehur shqetësimin për ndikimin që protestat po japin në sektorin e turizmit, duke paralajmëruar se anulimet e rezervimeve nga turistët e huaj po kthehen në një problem serioz për ekonominë e vendit.
Në podcastin “Flasim”, Rama tha se ka marrë mesazhe të shumta nga operatorë turistikë, të cilët raportojnë anulime rezervimesh për sezonin veror. Sipas tij, kjo situatë po prek drejtpërdrejt bizneset lokale, ekonominë familjare dhe të ardhurat që vendi përfiton nga turizmi.
Dhe besoj që edhe ndër ata që protestojnë, një pjesë duan që gjërat në Shqipëri të shkojnë më mirë dhe janë sinqerisht shqetësuar për si do të shkojë zhvillimi i investimit në Zvërnec. Ndërkohë që një pjesë tjetër, pjesa dominante, nuk është se nuk duan që gjërat të shkojnë më mirë, absolutisht, por, ashtu siç ata duan që të shkojnë gjërat, më e keqja vjen për Shqipërinë.
Dhe këtu kam parasysh ato partitë e vogla, që mbetën të vogla apo që u bënë të vjetra. Këtu kam parasysh, prurjet që vijnë nga territore të tjera, se çfarë lidhje kanë ata me këtë temë, që ka të bëjë me Vlorën dhe që vetëm në Vlorë nuk ka shkaktuar asnjë lloj proteste, sepse Vlora masivisht atje e do zhvillimin, kjo është një pikëpyetje të cilës unë nuk dua t’ia jap përgjigjen, por do ta lë pikëpyetje.Kam marrë shumë mesazhe, por natyrisht që unë nuk mund të dal dhe ta përdor këtë që të thuhet: “Do të ndalosh protestën se t’u dogj shpirti për hotelet?!”. Por, nga ana tjetër, nuk mund të rri pa thënë që edhe në Vlorë dhe në Durrës ka pasur protesta të operatorëve turistikë, protesta sensibilizuese.
Në Vlorë kanë qenë rreth 95% e atyre që zotërojnë hotele, restorante, bare që i janë bashkuar protestës sensibilizuese, duke kërkuar mirëkuptim që sezoni të mos dëmtohet, sepse është një dëmtim i drejtpërdrejtë për ekonominë familjare të shumë njerëzve të lidhur me turizmin dhe është një dëmtim i drejtpërdrejtë për ekonominë lokale dhe për ekonominë kombëtare në tërësi.
Një tjetër simptomë shumë e neveritshme është bullizmi ndaj njerëzve në Facebook, në Instagram.
Dhe kjo po ndodh me shumë njerëz, edhe me ata që kanë një opinion tjetër thjesht dhe shkruajnë postim dhe marrin të shara dhe marrin kërcënime, të cilat flasin për atë që unë e kam thënë që është ditën e parë në këtë konglomerat, në këtë mozaik, ku ka njerëz nga të gjitha rrugët e jetës, ku ka patjetër njerëz, që kanë vetëm qëllime të mira, ka dhe një komponentë fashiste, një frymë fashiste. Dhe fryma fashiste nuk ka nevojë për uniforma dhe për armë. Fryma fashiste është fryma që thotë: “Shqipëria është e shqiptarëve”, pra, të gjithë të tjerët jashtë nuk janë të mirëseardhur. Siç ishte Gjermania e gjermanëve dhe u bë “delja e zezë” e Evropës për vite, vite të tëra pastaj. “Greqia është e grekëve”, thoshin këta hajvanët e Agimit të Artë, që u bënë një problem për Greqinë, e të tjera, e të tjera, e të tjera.
Fryma fashiste është kur ti thua: “Unë dua të flas, unë dua të them atë që mendoj, unë dua të protestoj, unë dua të rri në bulevard”, po unë nuk dua dhe nuk pranoj që të tjerët të kenë një opinion apo një qëndrim tjetër.
Dhe tjetra: është e patolerueshme që një grup njerëzish, që një forcë njerëzish, që një parti apo një konglomeratë partish, apo që nuk e di, quani si të doni, t’i imponohet pjesës tjetër, duke i thënë që: “O do mendosh kështu si unë, o unë do të sakatoj, do të të bullizoj, do të të kërcënoj”. Kjo është fashiste, është skandaloze dhe kjo duhet ndalur. Dhe kjo ndalet duke mos u tërhequr përpara këtyre lloj presioneve dhe përpara këtyre lloji hajvanëve. Kjo duhet ndalur“, u shpreh Rama në hyrje të podkastit.