Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka mbështetur projektin e RTK-së për rikthimin e festivalit tradicional ‘Akordet e Kosovës’, ku risi do të jetë edhe festivali për fëmijë, që për herë të parë do të organizohet nga RTK.
Radiotelevizioni i Kosovës dhe Ministria e Kulturës dhe Turizmit kanë nënshkruar sot marrëveshjen e re të bashkëpunimit për rikthimin dhe zhvillimin e projektit tradicional “Akordet e Kosovës” në kuadër të programit të RTK-së.
Marrëveshja parashikon që nën ombrellën e Akordeve të Kosovës të jetë Festivali i Këngës në RTK, ndërsa risi është rikthimi i festivalit për fëmijë në këtë skenë të madhe.
Ky bashkëpunim synon fuqizimin e skenës muzikore vendore, promovimin e talenteve të reja dhe avancimin e prezencës së Kosovës në ngjarjet ndërkombëtare të muzikës.Marrëveshja e re paraqet vazhdimësi të bashkëpunimit paraprak trevjeçar ndërmjet RTK-së dhe Ministrisë së Kulturës, i cili kishte përfunduar këtë vit. Palët janë dakorduar që bashkërisht të angazhohen në organizimin e festivalit, zhvillimin e programeve trajnuese për artistët dhe promovimin e muzikës kosovare.
Detajet lidhur me datat, formatin dhe mënyrën e aplikimit do të publikohen nga RTK dhe Ministria e Kulturës dhe Turizmit në ditët në vijim.
Fitues i edicionit të parë ishte La Fazani (Arbër Salihu) me këngën “Oj Kosovë”, edicionin e dytë e fitoi Endrit Krasniqi me “Flas me gjethen”, ndërsa në edicionin e tretë triumfoi Arsi Bako me këngën “Rreze zjarri”.