Rehabilitimi i pyjeve të gështenjave në Deçan - model i ri për zhvillim të qëndrueshëm dhe energji nga biomasa
Biznes
Lexohet për: 9 min.
Dëgjoje me zë...
Rehabilitimi i pyjeve të gështenjave në Deçan - model i ri për zhvillim të qëndrueshëm dhe energji nga biomasa
17/04/2026 - 17:16
Linku u kopjua
Rehabilitimi i pyjeve të gështenjës dhe shfrytëzimi i qëndrueshëm i biomasës po konsiderohen si model i ri zhvillimi lokal dhe mjedisor në Kosovë, në kuadër të projektit rajonal për Menaxhimin e Integruar të Pyjeve (MIP), i cili po zbatohet në Pellgun e Lumit Drin.
Gjatë një vizite në terren në Komunën e Deçanit, përfaqësues nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) panë nga afër rezultatet e ndërhyrjeve në rehabilitimin e pyjeve të degraduara të gështenjës, ku për herë të parë po aplikohet një qasje e integruar që lidh restaurimin e pyjeve me zhvillimin ekonomik lokal.
Shefi i Programeve dhe Projekteve Ndërkombëtare në ADA, Heinz Habertheurer, e vlerësoi projektin si shumë të suksesshëm, duke theksuar rëndësinë jetike të pyjeve.
“Pylli është jetë dhe uji është jetë. Pylli është jetë sepse na nevojitet për të pasur ajër të pastër, por është gjithashtu shumë i rëndësishëm për biodiversitetin dhe për luftimin e ndryshimeve klimatike. Këtu mund të shohim se në pesë hektarë tokë komunale kjo hapësirë po mirëmbahet në gjendje shumë të mirë. Është një menaxhim shumë i mirë dhe gjithashtu mund të shohim se ka një bashkëpunim shumë të mirë ndërmjet aktorëve të ndryshëm: komunës, Agjencisë së Pyjeve, Agjencisë Austriake për Zhvillim, si dhe partnerëve zbatues ICEP dhe organizatës lokale”, tha ajo.
Ndërkaq shefja e Zyrës së ADA-së në Kosovë, Rita Glavitza, theksoi rëndësinë që ka menaxhimi i pyjeve për jetën e përditshme dhe zhvillimin rural në vend.
“Është shumë e rëndësishme, veçanërisht duke pasur parasysh që Kosova është e mbuluar kryesisht me pyje, kështu që kjo është pjesë e jetës së përditshme, prek shumicën e njerëzve, dhe çdo sfidë me të cilën përballen pyjet ndikon drejtpërdrejt në komunitete. Prandaj, për ADA dhe punën tonë këtu, ne kemi një fokus të fortë në zhvillimin rural, duke ndihmuar komunitetet, qeverisjen lokale dhe institucionet, dhe sigurisht menaxhimi i pyjeve është pjesë e kësaj. Kështu që jemi shumë krenarë që mbështesim partnerët tanë ICEP dhe CNVP, si dhe të gjithë partnerët e tjerë”, tha ajo.
Drejtoresha e organizatës partnere në këtë projekt ICEP, Astrid Taus, theksoi se projekti synon të lidhë burimet natyrore në nivel rajonal dhe të rrisë rëndësinë e menaxhimit të integruar të tyre.
“Ne jemi përpjekur të gjejmë ‘ne pellgun e Lumit Drini” lidhës të vendeve 4 vendeve rajonale, për të investuar në menaxhimin e integruar të pyjeve, sepse uji, pylli dhe burimet natyrore po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme. Ne punojmë në restaurimin e pyjeve dhe, siç bëmë këtu, me rehabilitimin e gështenjave. Ne përpiqemi të zbatojmë metoda të ndryshme të mbjelljes së pyjeve së bashku dhe të monitoruara nga Universiteti i Prizrenit. Dhe ne përpiqemi të krijojmë ndërgjegjësim dhe programe trajnimi rreth këtij sektori.”, tha ajo.
Sipas koordinatorit të projektit për Kosovën nga CNVP, Orhan Berisha, në këtë zonë janë rehabilituar rreth pesë hektarë pyje, ndërsa nga trajtimet pyjore janë gjeneruar mbi 100 metra kub biomasë druri.
“Nëpërmjet projektit IFM, janë rehabilituar pesë hektarë pyll te degraduar te Gështenjës. Nga kjo, përveç rehabilitimit te pyllit, përmirësimit te strukturës dhe gjendjes shëndetësore kemi nxjerrë gjithashtu rreth 112 metër kub biomasë druri, e cila aktualisht po përdoret nga kompania rajonale "Higjiena". Paralelisht me ndërhyrjet silvikulturore janë ndërtuar rreth 50 metra kub (m3) gardhe të dyfishtë si masë kundër erozionit, duke përfaqësuar një zgjidhje te bazuar ne natyre për stabilizim te tokës dhe mbrojtjen mjedisit. Në fillim, kur bëmë përzgjedhjen e parcelës dhe bëmë inventarin, ideja nuk ishte vetëm rehabilitimi i pyllit, por që ky pyll, si të thuash, të hapte rrugën për tu bërë ne te ardhmen një pemishte gështenjash.
Ndërkohë, eksperti lokal për gështenjat, Miftar Loka, rikujtoi se kjo zonë ka qenë rëndë e prekur nga sëmundja e kancerit të lëvores së gështenjës që nga vitet ’70, duke dëmtuar shumicën e trungjeve.
Në vitet 1973, në këtë pjesë u lajmërua sëmundja e gështenjës, Cryphonectria parasitica. Në atë kohë këtu kemi pasur trungje deri në 30 metra lartësi dhe 1 metër kanë qenë të trasha. Shkak i kësaj sëmundjeje është lëkura, domethënë, kjo është kanceri i lëkurës së gështenjës, ka arritur deri te asgjësimi i shumicës së atyre trungjeve. Rreth 90% e tyre kur kemi hyrë kanë qenë të dëmtuara nga kanceri i lëkurës së gështenjës. Tashti ne kemi bërë, kemi matur sa ka drurë të infektuar, sa ka drurë të shëndoshë, sa ka drurë që janë pak a shumë që e kanë përjetuar sëmundjen dhe kanë arritur që të vazhdojnë. Ne kemi hequr rreth 80% të drurëve që kanë qenë në sipërfaqe. Pra të gjitha trungjet e infektuara, mirëpo ato që kanë qenë në fazën e hipovirulencës i kemi lënë aty”, tha ai.
Profesori i Fakultetit të Shkencave të Pyjeve dhe Mjedisit në Universitetin e Prizrenit, Faruk Bojaxhiu, tha se në Deçan është ndjekur metoda e favorizimit të rigjenerimit natyror të pyjeve, duke theksuar se kjo qasje është më efektive sesa pyllëzimet artificiale.
“Në këtë rast, ata kanë filluar të largojnë druret dëmtuara, druret më të vjetra, për t'i dhënë hapësirë dhe mundësi drureve të reja që të kenë, si me thënë, fruta të shëndetshme dhe regjenerimi po vjen në mënyrë natyrale, jo artificiale. Sepse ne kemi provuar të bëjmë shumë pyllëzime të reja në shumë qytete në Kosovë, por në këtë pikë nuk jemi edhe aq të mirë, nuk kemi pasur aq sukses. Në këtë rast, jemi të sigurt se nëse do të bëjnë edhe në vende të tjera si ky shembull, regjenerimi natyror do të jetë më produktiv dhe do të ndodhë, jemi të sigurt për këtë. Dhe nëse vijmë pas 5 viteve, do të shohim farat e reja që kanë filluar të mbijnë nga toka”
Ndërkohë, përfaqësues të institucioneve lokale shprehën gatishmëri për vazhdimin e projektit. Bashkim Lajqi nga Agjencia Pyjore e Kosovës tha se iniciativa ka dëshmuar vlerën e saj në mbrojtjen dhe zhvillimin e pyjeve.
“Ne jemi të gatshëm, kjo punë po bëhet kryesisht për pyjet tona, kështu që jemi të gatshëm me dhanë kontributin tonë edhe si agjenci, edhe në kuadër profesional, edhe të gjithave këtyre. Ne kemi menduar edhe kemi propozuar që të vazhdohet më tutje, sepse me të vërtetë ia vlen për te pasur mundesi me i mbrojt këtë kulturë të pyjeve te Gështenjës”, u shpreh ai.
Edhe kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, njoftoi se komuna synon të rrisë investimet në këtë sektor, duke përfshirë edhe projekte për ngrohje me biomasë dhe shfrytëzim më efikas të resurseve pyjore.
“Këtë vit kam kërkuar nga Asambleja Komunale të ndajë një buxhet më të madh, në mënyrë që së paku 870 hektarë tokë, që përbëjnë brezin e gështenjave, të kenë këtë drejtim zhvillimi. Është një produkt që tek ne nuk kuptohet drejt. Nuk është marrë mundi për ta kuptuar, dhe këtë po mundohem ta arsyetoj duke dhënë disa argumente pse. Në të njëjtën kohë, kemi ndërtuar këtë rrugë me katër korsi në dy krahët e Deçanit. Po ashtu, kemi kërkuar buxhet për të siguruar gypat për ngrohje me biomasë. Është tepër e dhimbshme sa masë drunore në pyjet e Parkut Nacional shkon dëm. Për më tepër, këto mbetje bëhen shkaktarë të vatrave të infeksioneve dhe krijojnë habitate që i nënshtrohen edhe fatkeqësive të tjera sociale.Unë besoj që ka shumë biomasë në këto pyje, aq sa Deçani është i vogël për ta shfrytëzuar atë. Shto kësaj që në këtë zonë ndodhen edhe dy shtigje të alpinizmit.”, tha Ramosaj.
Në kuadër të projektit, mbetjet drusore nga trajtimi i pyjeve po përdoren për prodhimin e energjisë për ngrohje, përmes një impianti të instaluar në ndërmarrjen publike “Higjiena”, duke kontribuar në uljen e kostove dhe në krijimin e zinxhirëve lokalë të vlerës.
"Si rezultat i trajtimeve pyjore që janë realizuar në sipërfaqe prej rreth 5 hektarësh, kanë rezultuar mbetje pyjore nga trajtimi i pyjeve të gështenjës. Këto mbetje, me mbështetjen e këtij projekti, janë duke u bluar dhe po përdoren për ngrohje qendrore, e cila tashmë është instaluar në objektin administrativ të “Higjiena”,
Projekti IFM është projekt regjional, i cili po zbatohet që nga nëntori 2022 në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi. Ai financohet nga ADA, menaxhohet në nivel rajonal nga OJQ-ja austriake ICEP dhe zbatohet nga CNVP. Projekti promovon menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve duke kombinuar restaurimin e pyjeve dhe kontrollin e erozionit, përdorimin e qëndrueshëm të biomasës, forcimin institucional, si dhe trajnimin profesional dhe zhvillimin e kapaciteteve për palët kryesore të interesit.
/Kosovapress/