Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka vendosur që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese në lidhje me Rregulloren e re për Procedurën e Pranimit në Shërbimin Civil, pasi thonë se me këtë rregullore cenohet autonomia lokale e komunave të Kosovës, raporton KosovaPress.
Në një prononcim për KosovaPress, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, tha se me këtë rregullore, sistemi i rekrutimit të stafit civil, sipas mendimit të kryetarëve të komunave do të centralizohet.
“Pra, për këtë arsye, kryetarët e komunave mendojnë se një veprim i tillë nuk është në harmoni me Kushtetutën. Në këtë Rregullore për Pranimin e Shërbimit Civil, neni 4, pika 6, thuhet se procedurat e rekrutimit zhvillohen nga DMZP-ja për institucionet e administratës shtetërore, me përjashtim të institucioneve që kanë nëpunës civilë me status të veçantë, për të cilat procedurat e rekrutimit i zhvillon njësia që merret me rekrutimin e personelit në atë institucion...”, tha Ibrahimi për KosovaPress.