Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, tha se Kosova ka humbur një vit të tërë me një gjendje të përhershme të zgjedhjeve dhe fushatave, gjendje që ka ndikuar në të gjitha proceset që e çojnë këtë vend drejt Bashkimit Evropian.
Terras shtoi se këshilla e tij është që të ketë sa më parë qeveri për të nisur punën rreth reformave.
Eurodeputeti shpreson që të gjitha partitë politike t’i lënë anash diferencat e tyre dhe të mundohen të gjejnë emëruesin e përbashkët për të krijuar një qeveri të fortë dhe funksionale.
Edhe përkundër bllokadave politike në vend viteve të fundit, Terras është i mendimit se Kosova akoma është në rrugë të mirë drejt Bashkimit Evropian.“Tani, çdo person i rëndësishëm i institucioneve evropiane e ka vizituar Kosovën dhe porosia ishte e njëjta: të gjithë mendojnë që Kosova është në një rrugë të mirë dhe se një qeveri funksionale duhet të jetë aty. Kjo për të pasur një partner për të negociuar dhe të ketë një partner për statusin e vendit kandidat për Kosovën dhe të çelen bisedimet e pranimit në Union”, deklaroi Terras.
Riho Terras tha më tej se sfida e vetme dhe më e madhe për BE-në, në kontekst të hapjes së bisedimeve me Kosovën për anëtarësim, është që pesë shtete anëtare të Unionit nuk e njohin Kosovën deri tani.
Duke folur për situatën e sigurisë në vend, Terras tha se herën e fundit kur ishte në Kosovë, kishte vizituar edhe selinë qendrore të KFOR-it. “Porosia nga lidershipi i KFOR-it ishte mjaft pozitive dhe se situata mjaft është stabilizuar dhe se asgjë nuk qëndron në rrugën për të pasur marrëdhënie të mira ndërfqinjësore; pikë së pari me Serbinë dhe me minoritetin serb” në Kosovë.
“Problemi tani është që unë nuk shoh që Bashkimi Evropian është fort aktiv në raport me palën serbe. Dhe Serbia nuk dëshiron që të gjejë rrugë për të dalë nga kjo” situatë, shtoi eurodeputeti nga Estonia.
Ai thotë se mënyra më e mirë për të dyja palët “është që të harrojnë konfliktet dhe të angazhohen bashkërisht që të kenë një rajon paqësor”.
Por në fund të fundit, sipas tij, “vetëm Kosova e Serbia janë në gjendje që të zgjidhin problemin”.