E Ngarkuara me Punë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Anu Prattipati, ka deklaruar se Kosova, s’po arrin që t’i përmbushë kërkesat për furnizimin me energji dhe se në të ardhmen, kur kërkesat për rrymë do të rriten, Kosova do të varet gjithnjë e më shumë nga fqinjët e saj.
Prattipati, në editorialin e saj, ka shtuar se, kësisoj, Kosova duhet t’i bashkohet projekteve amerikane të gazit natyre që janë planifikuar nëpër rajonin e Ballkanit, projekte të cilat, thekson ajo mund të sigurojnë burime energjetike amerikane për Kosovën.
Tutje, Prattipati, bën thirrje që Kosova duhet të veprojë shpejt për realizimin e partneritetit, pasi që, siç thekson ajo, ‘‘mundësia për t’iu bashkuar këtyre projekteve po mbyllet’’, dhe se, ‘‘vonesa e këtij vendimi rrezikon që furnizimet amerikane të GNL-së të zotohen diku tjetër dhe një gjë e tillë mund ta lërë Kosovën si vendin e vetëm në Ballkanin Perëndimor pa qasje në GNL-në amerikan’’.
‘‘Kosova tani përballet me një zgjedhje të rëndësishme strategjike. Administrata e presidentit Trump prioritet kryesor e ka uljen e varësisë së Evropës nga energjia ruse. Ne e nxisim Kosovën të hyjë në partneritet afatgjatë energjetik me Amerikën përmes GNL-së për të siguruar të ardhmen e saj energjetike. Së bashku, ne mund të forcojmë sigurinë energjetike dhe t’i rrisim ekonomitë tona krah për krahu’’, ka shkruar Prattipati.