Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Tivat përfundon pa deklaratë të përbashkët
Drejtat Autoriale
Lexohet për: 13 min.
Dëgjoje me zë...
Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Tivat përfundon pa deklaratë të përbashkët
samiti1222456
05/06/2026 - 18:59
Linku u kopjua

Në Tivat të Malit të Zi ka përfunduar samiti BE-Ballkani Perëndimor, që mblodhi udhëheqës të gjashtë shteteve të rajonit dhe të Bashkimit Evropian.

Në fund të samitit nuk u miratua një deklaratë e përbashkët, por Bashkimi Evropian doli me një komunikatë, në të cilën u tha se liderët evropianë mirëpritën reformat që po vazhdojnë dhe riafirmuan përkushtimin ndaj procesit të zgjerimit të BE-së, të bazuar në merita.

Ndërkaq, në një konferencë për media, presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, foli për një propozim franko-gjerman që u paraqit në prag të samitit, i cili parasheh integrimin gradual të shteteve të rajonit para një anëtarësimi të plotë në bllok.

Costa la të kuptohet se ky propozim nuk do të zbatohet në rastin e Malit të Zi – shtetit të rajonit që ka bërë përparimin më të madh drejt BE-së, që pritet të bëhet anëtari më i ri i unionit brenda pak vitesh.

Costa tha se propozimi më i ri, i cili ka ardhur nga kabinetet e kancelarit gjerman, Friedrich Merz, dhe presidentit francez, Emmanuel Macron, është edhe një përpjekje për thjeshtimin e procedurave burokratike në procesin e zgjerimit. Sipas tij, procesi mbetet i bazuar në merita, por synimi është të zvogëlohet burokracia e ndërlikuar që e shoqëron atë.

“Për Malin e Zi, kjo nuk është aq e rëndësishme sa për vendet e tjera kandidate”, tha Costa në konferencën për media pas samitit BE-Ballkani Perëndimor.

Edhe mikpritësi i samitit, presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, tha se propozimet më të reja nuk do të zbatohen në rastin e shtetit të tij.

“Ne besojmë se rasti i Malit të Zi është deri diku unik, duke pasur parasysh se Mali i Zi është vend kandidat që tashmë ka iniciuar grupin punues për hartimin e traktatit të anëtarësimit. Kështu i kuptojmë idetë e reja, përfshirë edhe këtë dokument franko-gjerman. Si një qasje më e gjerë, kjo është një mënyrë konstruktive për t’i afruar vendet e tjera kandidate drejt qëllimit përfundimtar”, tha Milatoviq.

Mali i Zi është vendi më i avancuar në rajon në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, me një perspektivë të besueshme për anëtarësim. Ai tashmë po i afrohet përmbylljes së negociatave të anëtarësimit, ndërsa Bashkimi Evropian ka marrë vendim për formimin e një grupi punues që do ta përgatisë draftin e Marrëveshjes së Anëtarësimit.

Propozimi franko-gjerman, me gjasë, ishte një nga temat kryesore të diskutimit në samitin e liderëve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe vendeve të rajonit.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e mirëpriti këtë propozim, duke vlerësuar se qëllimi i tij është përmirësimi i procesit të zgjerimit, gjë që, sipas saj, është “më se e mirëpritur”.

“Procesi i bazuar në merita mbetet themeli i qasjes sonë dhe ne duam të ecim shpejt dhe me efikasitet”, tha ajo.

Von der Leyen tha se dy temat e samitit ishin Plani i Rritjes dhe zgjerimi.

“Zgjerimi është një imperativ gjeostrategjik për ne dhe një investim afatgjatë për paqen, stabilitetin dhe sigurinë tonë. Do të mbetet proces i bazuar në merita, por duhet të bëhet më dinamik sepse proces i bazuar në merita nuk do të thotë proces i ngadalshëm, ai nënkupton proces të drejtë dhe të parashikueshëm – me fjalë të tjera, kur reformat bëhet, përparimi drejt BE-së duhet të jetë hapi i radhës”, tha ajo.

Udhëheqësja e KE-së shtoi se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE dhe ky nuk është premtim i bllokut, por “një zgjedhje strategjike”.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se shteti i tij e mbështet nismën franko-gjermane.

“Ne jemi absolutisht për këtë. Kjo do ta ndryshojë ritmin dhe energjinë e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Kjo do të thotë se, kur bëni diçka, mund të uleni në tryezë,” tha Vuçiq për gazetarët pas përfundimit të samitit në Tivat.

Sipas tij, ky propozim ishte tema kyç e samitit. Ai po ashtu konfirmoi se udhëheqësit evropianë i kanë kërkuar Serbisë të vendosë sanksione ndaj Rusisë, për shkak të luftës kundër Ukrainës.

Në samitin në Tivat, Kosova u përfaqësua nga ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, e cila tha se vendi është i gatshëm të bëjë hapin e rradhës në rrugën evropiane.

"Kosova nuk kërkon rrugë të shkurta. Kërkojmë një proces të drejtë, të besueshëm dhe të bazuar në merita", tha Haxhiu në samit, sipas një njoftimi për media.

Haxhiu përmendi edhe aplikimin e Kosovës të bërë tre vjet më parë - por që ende nuk është shqyrtuar nga Brukseli - duke thënë se është koha që BE-ja të vendosë që t'i japë Kosovën statusin e vendit kandidat dhe të hapë negociatat e anëtarësimit.

Çfarë u tha në komunikatën e samitit?

Ndërkaq, pas samitit, në komunikatën e lëshuar u theksua po ashtu se marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal mbeten thelbësore për përfitimin e të gjitha avantazheve të integrimit më të afërt. Po ashtu, u nënvizua rëndësia e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën e politikës së jashtme, sigurisë dhe mbrojtjes.

Po ashtu u diskutua për ofertat konkrete të BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë “korsitë e gjelbra”, përparimin drejt integrimit në Tregun e Përbashkët të BE-së dhe në sistemin SEPA (Zona e Vetme e Pagesave në Euro), si dhe investimet në vazhdim për lidhjen digjitale në mbarë rajonin.

Duke u mbështetur në këtë përparim, gjatë samitit u theksuan edhe mundësi të reja për bashkëpunim, lëvizshmëri dhe ndërlidhje në rajon.

Përmes komunikatës u njoftua për nisjen e një bashkëpunimi më të ngushtë ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe Agjencisë së Bashkimit Evropian për Sigurinë Kibernetike, me qëllim forcimin e qëndrueshmërisë ndaj kërcënimeve kibernetike.

Nisja e një programi të ri të mobilitetit, i financuar nga BE-ja së bashku me Shkollën Rajonale për Administratë Publike, do t’u mundësojë deri në 100 nëpunësve civilë nga Ballkani Perëndimor të fitojnë përvojë profesionale në administratat e shteteve anëtare të BE-së.

Po ashtu, u bë i ditur edhe synimi i Komisionit Evropian që programin DiscoverEU, i cili përfshin ofrimin e biletave falas të udhëtimit për të rinjtë 18-vjeçarë, ta zgjerojë për të rinjtë nga të gjitha vendet e rajonit duke filluar nga viti 2027.

U konfirmua gjithashtu se Komisioni Evropian ka përgatitur hapat e radhës drejt krijimit të marrëveshjeve për roaming ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

Në komunikatë u konfirmua po ashtu se BE-ja, nga Plani i Rritjes për vendet e rajonit, nga viti 2024 e deri më tani ka shpërndarë 673.6 milionë euro. Ndërkaq, liderët e rajonit u inkurajuan që të shfrytëzojnë sa më shumë mundësitë që ofron Plani i Rritjes, duke zbatuar reformat brenda afateve të parashikuara.

Ky plan i BE-së për periudhën 2024-2027, në vlerë prej 6 miliardë eurosh, synon qëllim përshpejtimin e afrimit ekonomik të rajonit me BE-në dhe mundësimin e qasjes graduale të tij në pjesë të tregut të përbashkët, para anëtarësimit të plotë.

Zgjerimi "po bëhet realitet"

Ndërkaq, më herët gjatë ditës në hapje të samitit udhëheqësit e BE-së thanë se zgjerimi po bëhet realitet dhe se blloku evropian nuk do të jetë i plotë pa vendet e rajonit.

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, tha se vizita e tij në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor para samitit dëshmon përkushtimin e vazhdueshëm të BE-së ndaj rajonit.

“Suksesi juaj është i rëndësishëm, sepse tregon se zgjerimi po bëhet realitet dhe ne do të vazhdojmë t’ju mbështesim”, tha Costa, duke iu drejtuar Malit të Zi, nikoqirit të samitit dhe vendit që prin në procesin e anëtarësimit në BE.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se Bashkimi Evropian po bëhet më i sigurt, më i qëndrueshëm dhe më i fuqishëm, por se “pa Ballkanin Perëndimor nuk do të jetë i plotë”.

Ajo tha se samiti do të përqendrohej në mënyrat për ta përshpejtuar procesin e zgjerimit, për ta bërë atë më të dukshëm dhe më të rëndësishëm strategjikisht.

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, e cilësoi mbajtjen e samitit në vendin e tij si “pikë kthese” për Malin e Zi, për Ballkanin Perëndimor dhe për vetë Bashkimin Evropian.

Në samit morën pjesë udhëheqës të rëndësishëm evropianë dhe zyrtarë nga vendet kandidate, në një kohë kur Brukseli po përpiqet ta ringjallë procesin e zgjerimit, të ngadalësuar prej vitesh.

Blloku evropian kohët e fundit është përqendruar në nxitjen e reformave në këto shtete kandidate, pas shqetësimeve në rritje lidhur me ndikimin e Rusisë dhe Kinës në rajon.

Shqipëria, Bosnja, Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Mali i Zi po e kërkojnë anëtarësimin në BE prej shumë vitesh, por ende nuk arritur t’i përmbushin kushtet e nevojshme, sipas bllokut.

Çdo shtet ndodhet në fazë të ndryshme të procesit të anëtarësimit, por Mali i Zi dhe Shqipëria janë më përpara në këtë rrugëtim.

Për të ecur përpara në rrugën e tyre, vendet kandidate duhet ta harmonizojnë legjislacionin e tyre me standardet e BE-së në 35 fusha politike, të njohura zakonisht si “kapituj”. Për hapjen ose mbylljen e çdo kapitulli kërkohet pëlqimi i të gjitha 27 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.

Të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor morën pjesë. Ndryshe nga dhjetori i kaluar, në samit do të marrë pjesë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Qëndrimi i tij në Mal të Zi u shoqërua me tensione në rritje me Malin e Zi, pasi autoritetet malazeze i dëbuan në aeroport një grup burrash që kishin mbërritur në Podgoricë me fluturim çarter.

Megjithëse marrëdhëniet me Malin e Zi nuk janë në nivelin më të mirë dhe tensionet filluan të rriteshin pas festimit të pavarësisë malazeze, Vuçiq nuk hoqi dorë nga pjesëmarrja sepse këtë ia kishte premtuar presidentes së Komisioni Evropian, Ursula von der Leyen, e cila e kishte telefonuar personalisht për të biseduar mbi pjesëmarrjen e tij.

Non-paper i Gjermanisë dhe Francës

Në prag të samitit BE–Ballkani Perëndimor, Gjermania dhe Franca e paraqitën një të ashtuquajtur non-paper, përmes të cilit këto dy shtete propozojnë integrimin gradual të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Moldavisë në programet dhe politikat e Bashkimit Evropian.

Qëllimi i kësaj nisme është përshpejtimi i integrimit të vendeve kandidate dhe dhënia e një shtyse të re për reforma.

Dokumenti franko-gjerman, i përgatitur nga kabinetet e kancelarit gjerman, Friedrich Merz, dhe presidentit francez, Emmanuel Macron, niset nga vlerësimi se politika e zgjerimit ka nevojë për një impuls të ri politik.

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, para nisjes së samitit në Tivat deklaroi se procesi i zgjerimit ka qenë shumë i ngadalshëm dhe se nevojiten ide të reja për t’i nxitur vendet e rajonit të zbatojnë reforma.

Ai paralajmëroi se edhe Bashkimi Evropian duhet të tregojë se është i aftë për zgjerim të mëtejshëm.

“Nëse për 13 vjet nuk kemi pranuar asnjë anëtare të re, kjo tregon se mangësitë ekzistojnë edhe në anën e Bashkimit Evropian. Pikërisht këtë duam ta tejkalojmë sot”, tha Merz para samitit.

Ai deklaroi po ashtu se iniciativa gjermano-franceze do të jetë në tryezë gjatë takimit të liderëve të BE-së me ata të Ballkanit Perëndimor.

Edhe Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha para samitit se në takim do të diskutohet për propozimin e përbashkët franko-gjerman për integrim më të thelluar dhe gradual të vendeve të Ballkanit Perëndimor në strukturat evropiane.

Ai tha se perspektiva e zgjerimit është e rëndësishme edhe nga këndvështrimi gjeopolitik, pasi në rajon preken çështje që lidhen me pavarësinë evropiane në fushat e energjisë, sigurisë dhe migracionit.

Ndërkaq, para samitit kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se Evropës i duhet një “moment i Helmut Kohlit”, duke bërë thirrje që vendet e rajonit të trajtohen si pjesë e familjes evropiane, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Serbia pret të bëjë përparim dhe ta përshpejtojë rrugën e saj drejt BE-së.

Presidenti Costa tha të enjten gjatë qëndrimit në Beograd se liderët evropianë do të diskutonin me homologët e tyre nga Ballkani Perëndimor mënyrat për të përmirësuar metodologjitë e procesit të anëtarësimit, me qëllim arritjen e përparimit më të shpejtë dhe më efektiv.

Për më tepër, BE-ja ka theksuar nevojën që Serbia dhe Kosova t’i normalizojnë marrëdhëniet e tyre në mënyrë që aplikimet e tyre për anëtarësim të mund të ecin përpara. Kosova shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008, por Serbia vazhdon të mos e njohë atë.

Ndërkaq, gjatë vizitës në Kosovë të mërkurën, Costa përsëriti se normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është i domosdoshëm për të ardhmen evropiane të të dyja vendeve.

Duke folur në konferencë më presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Beograd, Costa nënvizoi nevojën urgjente për përpjekje të përbashkëta, duke theksuar se “zgjerimi nuk është një utopi; ai është një mundësi reale në vitet e ardhshme”.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026