19:30
Janë identifikuar dy të rinjtë që humbën jetën tragjikisht pasditen e kësaj të mërkurë në zonën e Ranës së Hedhur në Shëngjin të Shqipërisë. Viktimat janë Leonid Alia nga Fushë Kosova dhe Jetmir Çopa nga Prishtina, shkruan Euronews Albania, përcjell KosovaPress.
Në vendngjarje kanë ndërhyrë forcat e kërkim-shpëtimit dhe Policia e Shtetit, të cilat po punojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e saj.
18:45Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka shprehur ngushëllimet për familjet e dy të rinjve nga Kosova që humbën jetën tragjikisht sot në Shëngjin.
Përmes një reagimi publik, Begaj tha se e ka marrë me hidhërim të thellë lajmin për ngjarjen e rëndë, ndërsa uroi shërim të shpejtë për tre të rinjtë e tjerë të lënduar.
Ai u bëri thirrje institucioneve qendrore dhe vendore, si dhe operatorëve turistikë, të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për garantimin e sigurisë në plazhe gjatë sezonit veror.
17:45
Tragjedia në Shëngjin, ndërrojnë jetë dy të rinj pasi u morën nga dallgët - dyshohet se janë kosovarë
Siç raporton Top Channel, dyshohet se të rinjtë janë marrë nga rrymat dhe dallgët e detit, ndërsa dy prej tyre kanë humbur jetën dhe dy raportohet se janë në gjendje të rëndë.
Ende nuk ka një konfirmim zyrtar nga autoritetet lidhur me rrethanat e ngjarjes dhe gjendjen e personave të tjerë.
E rëndë në Shëngjin, katër të rinj i marrin dallgët e forta - Dyshohet për viktima
Në zonë pritet ndërhyrja e forcave të kërkim-shpëtimit dhe e Policisë së Shtetit, me qëllim sqarimin e plotë të situatës dhe gjetjen e personave të përfshirë.
Hetimet dhe verifikimet vijojnë, ndërsa autoritetet pritet të dalin me informacion zyrtar në orët në vijim.