Rexhep Selimi është optimist dhe shpreson që drejtësia të triumfojë, thotë mbrojtja e tij në Gjykatën Speciale në Hagë, Geoffrey Roberts. Çështja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar zyrtarisht mbyllet më 15 prill, dhe më pas mbrojtja pritet të kërkojë rrëzimin e akuzave.
Edhe pritjet e avokatit janë pozitive në kohën kur Zyra e Prokurorit të Specializuar ka mbërritur në përfundim të çështjes së saj në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.
“Mendoj se çdo njeri që është i ndaluar, larg familjes së tij për katër vjet e gjysmë, do të ketë një ndikim të rëndësishëm në jetën e tij. Ai është arrestuar në fillim të nëntorit 2020, por ka ndjekur procedurat, ka marrë pjesë në çdo seancë gjyqësore, ka ndjekur dhe ka bashkëpunuar me çdo drejtim nga paneli në gjykatë. Por në një nivel personal, ai është optimist, është pozitiv, ashtu siç jam unë, dhe sigurisht shpreson që drejtësia të ndjekë rrugën e saj. Marrja e një vendimi merr kohë, por që në fund do të rezultojë me vendimin që ne shpresojmë”, tha ai.
Rexhep Selimi, sikurse ish-krerët e tjerë të UÇK-së, po përballen me një proces të tejzgjatur gjyqësor – gati pesë vjet në paraburgim.
Për dy vjet, prokuroria i solli 125 dëshmitarë në sallë, por asnjëri nuk akuzoi drejtpërdrejt Selimin.
Çështja e ZPS-së, zyrtarisht mbyllet më 15 prill, dhe më pas mbrojtja do të kërkojë rrëzimin e akuzave.
Avokati theksoi edhe sasinë e provave me shkrim që janë paraqitur për çka tha se kjo është një çështje që duhet adresuar - se çfarë peshe duhet t’iu jepet dëshmive që nuk janë paraqitur drejtpërdrejt nga individët.
Mbrojtja u pyet edhe nëse do të kërkojë që regjimi për vizitat në qendrën e paraburgimit të ndryshojë për Selimin, pas përfundimit të dëshmitarëve të prokurorisë.
Roberts gjithashtu dha shpjegime edhe për atë pse katër ekipet mbrojtëse mund të thërrasin ndaras dëshmitarët.
Megjithatë, mbrojtja e Selimit bëri të ditur se katër ekipet mbrojtëse kanë bashkëpunim mes vete.
Ata akuzohen për krime të pretenduara të luftës, akuza për të cilat secili prej tyre është deklaruar i pafajshëm, raporton KosovaPress.
Artikulli i plotë në sistemin me parapagim.
