Prokuroria e Mitrovicës: Një person dyshohet në rastin e gjashtë të rinjve serbë të ndaluar në Jarinje
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Prokuroria e Mitrovicës: Një person dyshohet në rastin e gjashtë të rinjve serbë të ndaluar në Jarinje
Komuna e Mitrovicess
10/04/2026 - 16:06
Linku u kopjua

Prokuroria Themelore në Mitrovicë është deklaruar në lidhje me lirimin e gjashtë të rinjve serbë, të cilët ishin ndaluar mëngjesin e së premtes në pikën kufitare të Jarinjes, gjatë hyrjes në territorin e Kosovës. Atyre u ishin gjetur dhe sekuestruar materiale me përmbajtje nacionaliste dhe nxitëse.

Lidhur me rastin, Prokuroria ka bërë të ditur për KosovaPress se është iniciuar rast dhe hetimet janë duke vazhduar.

“Është hapur rast ndaj një personi për veprën penale ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’, janë sekuestruar pamfletet dhe spreji. Rasti vazhdon në procedurë të rregullt”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Prokurorisë.

KosovaPress ka pyetur nëse personat e ndaluar janë liruar pas arrestimit, ndërsa Prokuroria ka bërë të ditur se për momentin një person dyshohet në këtë rast dhe se procedurat hetimore po vazhdojnë.

“Një person dyshohet për këtë rast, ndërsa rasti vazhdon të trajtohet në procedurë të rregullt”, thuhet tutje në përgjigje.

KosovaPress gjatë ditës së sotme ka raportuar, se nga burime brenda institucioneve të sigurisë se bëhet fjalë për gjashtë të rinj serbë, të cilët përveç materialeve nxitëse, dyshohet se kishin për qëllim shpërndarjen e tyre në pjesë të ndryshme të vendit.

Sipas këtyre burimeve, materialet përmbanin mesazhe që nxisin urrejtje dhe glorifikojnë figura të lidhura me sulmin në Banjskë të Zveçanit.

Nga fotografitë e afisheve të siguruara nga KosovaPress, vërehen simbolet e grupit ultra-nacionalist “Delije Sever” nga Zveçani, të shoqëruara me portretin e Stefan Nedeljkoviqit, i cili përmendet si një nga personat e vrarë gjatë sulmit në Banjskë.

Po ashtu, sipas burimeve të njëjta, dyshohet se grupi mund të ketë lidhje me rrjete më të gjera nacionaliste, ku përmendet edhe emri i Vladimir Radivojeviqit, i njohur si “Mami”, i raportuar si pjesëmarrës në sulmin e vitit 2023 dhe me lidhje me Millan Radoiçiqin.

“Kjo dëshmon se strukturat që goditën shtetin e Kosovës në Banjskë po riorganizohen përmes të rinjve në aktivitete destabilizuese në Republikën e Kosovës, duke synuar fshehjen e përfshirjes së mekanizmave të Serbisë”, kanë deklaruar burime të sigurisë për KosovaPress në kushte anonimiteti.

Sipas ligjeve në fuqi, kjo vepër cilësohet si “Nxitje e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik” dhe mund të dënohet me burgim deri në pesë vjet, veçanërisht kur shoqërohet me simbole që nxisin dhunë.

Ndryshe, prapavija e “Delijeve” buron nga një rrjet i ndërlikuar që shtrihet deri në majat e pushtetit në Beograd. Vetë Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka pohuar publikisht rëndësinë e këtij grupi, duke kujtuar me krenari kohën kur ishte pjesë aktive e tyre. Kjo mbështetje politike forcohet edhe nga lidhja me shërbimin sekret serb (BIA), ku Bojan Dimiq, një nga eprorët kryesorë të këtij shërbimi, mban njëkohësisht postin e anëtarit të Bordit Drejtues të Shoqatës Sportive “Crvena Zvezda”.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026