Prindërit nga komunitetet jo-shumicë bien pre e një lajmi të rremë nga mediat serbe
Edukimi Medial
Lexohet për: 8 min.
11 muaj më parë
Linku u kopjua

Disa prindër të nxënësve nga komunitetet jo shumicë në Plemetin të Obiliqit nuk i kanë dërguar për disa ditë fëmijët në shkollë, për shkak se kanë rënë pre e një lajmi të rremë në mediat serbe, gjoja se disa persona me një minibus në këtë zonë po i rrëmbejnë fëmijët.

Përveç kësaj, persona nga komunitete pakicë tregojnë se kanë hasur shpesh në lajme të pasakta, gjatë eksplorimit nëpër media dhe rrjete sociale.

Se prekja e një “pulle” nga presidenti i Rusisë, Vladimir Putin do të ndezë Luftën e Tretë Botërore dhe se në treg do të qarkullojë monedha “3-euroshe”, janë disa nga informacionet që kanë shkaktuar konfuzion nëse vërtet mund të ndodhë një gjë e tillë.

Kështu u tha në trajnimin e sotëm, ku rreth 30 nxënës bashkë me mësimdhënësit e tyre të shkollës së mesme të lartë profesionale “Ismail Dumoshi” në Obiliq janë informuar se si t’i dallojnë lajmet e rreme prej atyre reale, si dhe janë informuar mbi çështje të tjera që kanë të bëjnë me edukimin mediatik.

Përgjegjësja e shkollës “Pandeli Sotiri” në Plemetin të Obiliqit, Lavdina Hashani Tërbunja tha se për shkak të qarkullimit të lajmeve të pavërteta disa nxënës nuk i kanë ndjekur mësimet nga frika se do të rrëmbehen.

Lidhur me këtë, Hashani-Tërbunja vlerësoi se mbajtja e trajnimeve të tilla, ku nxënësit nga komunitetet vetëdijesohen dhe informohen mbi atë se çka të besojnë nga ajo që lexojnë nëpër media e rrjete sociale, është shumë e nevojshme.

Ajo shtoi se ky trajnim do t’u ndihmojë nxënëseve të komuniteteve rom, ashkalinj dhe egjiptian të kuptojnë se jo-gjithçka që lexojnë e dëgjojnë nëpër media e rrjete sociale janë të vërteta.

“Ky trajnim prej KosovaPress-it është shumë i domosdoshëm për komunitetet në paralelen e ndarë në Plemetin, për arsye se disa nga fëmijët kanë shikuar nëpër YouTube, Instagram dhe Facebook dhe e kanë vërtetuar që shumë gjëra që postohen në Instagram janë të rreme. Ky trajnim iu mundëson fëmijëve që sa më shumë ta kenë të qartë, se nuk është çdo që postohet në Instagram është e vërtetë. E kemi një gënjeshtër në Plemetin, të cilët prindërit mendojnë se disa minibusa kanë dalë për t’i vjedhur fëmijët. Mirëpo, ajo është gënjeshtër, për arsye se ato kanë ndodhur në Serbi, jo në Kosovë. Kështu që të gjithë prindërit merren me këto aktivitete, nuk do ta sjellin fëmijën në shkollë, për arsye se kemi raste që kanë ‘vjedhur’ fëmijët. Asnjë rast nuk është në dijeni që është kidnapuar nga njerëzit që vijnë me kombibus. I kanë lexuar në rrjete sociale të gjitha janë gënjeshtrat në rrjete sociale”, tha Hashani-Tërbunja.

Edhe vetë nxënësit e komunitetit jo-shumicë pranojnë se kanë rënë pre e lajmeve të rreme.

Florentin Kovaçi, nxënës në klasën e 12-të në shkollën “Ismail Dumoshi” nga komuniteti ashkali, derisa foli për ‘deep fake’, tha se ka parë një video të kryeministrit Albin Kurti duke folur në gjuhën arabe.

Përveç kësaj, ai potencoi edhe një lajm të pa vërtetë që qarkulloi ditëve të fundit, ku u tha se për shkak të një grindje fizike mes Bleros dhe Ganiut, u ndal transmetimi live në Big Brother.

Por, Kovaçi tha se trajnimi i mbajtur sot, i ka ndihmuar që të ketë mendim kritik rreth asaj se çka lexon në media dhe rrjete sociale.

“Lajme të rreme nëpër media është transmetimi i Big Brother në live që u ndal transmetimi, për shkak të përplasjes mes Bleros dhe Ganiut. Por, mandej u kuptua që është lajm i rremë… Kam parë që kryeministrin Albin Kurtin e kanë transmetuar në media duke folur në gjuhën arabe, por është ‘deep fake’ dhe nuk është e vërtetë…Pse po mendon se bëhen këto? Për shkak të shikueshmërisë dhe buxhetit më të madh të tyre… Çfarë iu ka ndihmuar ky trajnim? Për mos t’iu besuar shumë mediave, për të shikuar se në cilin vend t’i kërkojmë (informacionet) dhe na ka ndihmuar për kërkimin e informatave…Duhet hulumtuar më shumë për t’iu besuar mediave”, potencoi Kovaçi.

Albin Krasniqi, një nxënës tjetër nga po i njëjti komunitet, tha se i ka besuar një lajmi, se “me t’u prekur një pullë nga Putini, do të krisë Lufta e Tretë Botërore”.

Rast tjetër kur ai kishte besuar një lajm i rremë, ishte se në treg do të futej monedha “3 euro”.

“E kam parë nëpër media, nëpër rrjete sociale janë dy monedha rrumbullake dhe janë 3-euroshe, por ajo është e rreme… E kam parë në rrjete sociale, kam lexuar shumë në media nëse e prek Putin një pullë, mund të ndodhë Lufta Botërore për të gjithë. Sa i ke besuar kësaj? Goxha si shumë, pastaj e kam shikuar ende, kishte qenë shaka…(Trajnimi) më ka pëlqyer se i kemi parë disa reklama, që zbulohen sa janë të rreme”, tha Krasniqi.

Esmere Berisha, nxënëse tjetër nga komuniteti ashkali tregon se  në media qarkullojnë lajme ku titulli nuk përputhet me pjesën e tekstit. Ajo tregon një shembull ku ka klikuar në një titull ku flitej për pjesët e trupit, ndërkaq me t’u hapur teksti, aty është shfaqur një lajm me përmbajtje politike.

Berisha shprehu dëshirën për t’u bërë gazetare në të ardhmen, me qëllimin që ta vetëdijesojë audiencën, si të mos u bien pre e lajmeve të rreme dhe atyre “deep fake”.

“Një arsimtare na ka thënë të hulumtojmë për pjesët e trupit dhe pas dy-tre rreshtave aty ka dalë për qeverinë… Kam kuptuar që kjo është një media e rreme që nuk përputhet me tekstin që ka qenë dhe me të dhënat në titull. Çfarë të pëlqeu te trajnimi? Trajnimi që kemi mbajtur më ka pëlqyer shumë. Ka qenë shumë i mirë, kam marrë shumë informacione kur kemi diskutuar për media të rreme…Unë kam dëshirë që të bëhem gazetare dhe t’i tregoj publikut dhe vendeve tjera që nuk është mirë të bëhen lajmet e rreme dhe se lajmet duhet të bëhen saktë, sepse mund të ndikojnë edhe në shëndetin mental të njeriut”, tha Berisha.

Profesori i Shkencës Kompjuterike, Fuad Hashani vuri në theks rëndësinë e këtij trajnimi, derisa potencoi se ka qenë e nevojshme që nxënësit e komunitetit pakicë të informohen rreth lajmeve të rreme, meqë sipas tij kushtet e tyre financiare ua pamundësojnë përdorimin e pajisjeve të zgjuara.

Ai potencoi një rast kur edhe vetë ka hasur në një artikull që e ka vënë në lajthitje, pasi bëhej fjalë për një aktor të njohur që kishte pësuar aksident, por që në fakt ai nuk e njihte.

“Ky trajnim është i rëndësishëm për shkak se komunitetet kanë mungesë të informacioneve të mediave që ofrohen gjatë promovimit të lajmeve të ndryshme. Për shkak që kushtet financiare të tyre ua pamundësojnë përdorimin e shumë telefonave të zgjuar, Ipad-ëve, kompjuterëve dhe qasja e tyre është më e mangët. Qasja e tyre është e mangët në mediat e ndryshme që operojnë përmes Kosovës… Mendoj që ka qenë shumë i nevojshëm, sepse nga çdo trajnim ka përfitim, në veçanti për komunitetet, sepse ata kanë marrë informacione të bollshme për përdorimin dhe mënjanimin e informacioneve të rreme…A ke hasur ndonjëherë në ndonjë lajm të rremë? Patjetër, zakonisht ato ndodhin për përfitime financiare. Realisht, një informacion se i ka ndodhur një fatkeqësi një aktori, i cili është promovuar përmes rrjeteve sociale. Realisht ka qenë si top lajm, por kur ke hyrë në brendi të tekstit, bëhej fjalë për një aktor të panjohur për mua dhe opinionin, besoj”, tha Hashani.

Projekti “Edukimi mediatik kundër dezinformimit për komunitetet jo-shumicë në Kosovë”, mbështetet nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë. /Z.Zeneli/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024