​Të rinjtë e komuniteteve nxiten të vijojnë shkollimin
Tema
Lexohet për: 5 min.
shkolla-Zemrije
1 vit më parë
Linku u kopjua

Gjendja ekonomike dhe bullizimi vlerësohen si dy arsye për braktisjen e mësimit nga nxënësit e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. Edhe mungesa e teksteve adekuate mbetet një shqetësim jo pak i vogël. Nga Ekipi për Parandalimin e braktisjes së shkollave janë duke punuar për të nxitur prindërit që t’i shtyjnë fëmijët e tyre drejt shkollimit në kohën kur mbesin të hapura afatet e regjistrimit për vitin e ri shkollor e akademik, ndërsa në shkollat e Prizrenit po mbahen edhe mësime plotësuese për fëmijët e komuniteteve.

Sead Berisha, anëtar në Ekipin për Parandalimin e braktisjes së shkollave, thotë se janë hasur raste të bullizimit edhe nga ana e mësimdhënësve.

“Arsyet e ndalimit të shkollës zakonisht janë gjendje ekonomike, gjendja emocionale e fëmijës, bullizmit ku haset bullizime dhe nga profesorë dhe mësimdhënës të ndryshëm. Unë si anëtar i Ekipit për Parandalim të braktisjes së shkollave kemi organizuar tryeza të rrumbullakëta në Lipjan dhe Mitrovicë ku ka qenë tema ‘Bullzimi dhe parandalimi i braktisjes së shkollave’, ku 15% e pjesëmarrjes (deklaruan se) kanë ndërprerë shkollën shkaku i këtyre arsyeve, gjendja ekonomike dhe bullizmi”, tha Berisha.

Mësimdhënësja e gjuhës rome, Urma Menekshe, jep mësim plotësues në shkollat “Mati Logoreci”, “Haziz Tala”, “Mustafa Bakiu” dhe “Lekë Dukagjini” përreth 100 nxënës në Prizren. Ajo e pranon se gjendja socio-ekonomike ka bërë që komunitetet të mbesin mbrapa me shkollimin e tyre.

“Komuniteti rom, ashkali, egjiptian, janë komunitete më të margjinalizuara në territorin e Kosovës, për shkak të gjendjes socio-ekonomike normal se janë mbrapa, ose kanë ngecje në shkollimin e tyre, por duke folur për komunitetin rom ne e fillojmë betejën zero me një me komunitetet e tjera sepse nuk e kemi një shkollim adekuat në gjuhën amtare, e kemi problem për t'i mësuar një herë ose për tu adaptuar në atë gjuhë në mënyrë që çdo komunitet e kemi pak a shumë ngecje në shkollim”, thotë mësimdhënësja Menekshe.

Megjithatë, Menekshe lavdëron punën e organizatave të ndryshme joqeveritare të cilat po investojnë në shkollimin e të rinjve nga radhët e komuniteteve. Sipas saj, nga viti në vit po rritet edhe interesimi i nxënësve të komuniteteve për të vijuar shkollimin.

Përpos gjuhës rome, ajo i mëson nxënësit edhe për kulturën dhe traditat e tyre por edhe si të ballafaqohen me diskriminimet e ndryshme, pasi thotë se rruga e dijes për komunitetet shpesh bëhet e vështirë për shkak të trajtimit jo të mirë.

Misioni i Urmës është që të ul sa më shumë numrin e atyre që braktisin shkollën, sidomos për vajzat.

Aktivitetet të cilat po merren nga organizatat joqeveritare dhe unë si mësimdhënëse e gjuhës rome janë ato aktivitete që ata të nxiten më shumë për të marr mësimet në gjuhen rome për të ditur më shumë për kombësinë e vet në rast se hasin diskriminime në klasë, të dinë si t’i përballojnë, si t’ia bëjnë, mirëpo organizata joqeveritare janë duke bërë aktivitete si mësim plotësues, detyra shtëpie po ashtu aktivitete argëtuese dhe motivuese që nxënësit të vazhdojnë shkollimin dhe mos të braktisin shkollimin nga komunitetet rom ashkali dhe egjiptian. Mund të cekim që disa organizata janë duke dhënë edhe bursa adekuate për nxënës të komunitetit rom që janë duke vijuar shkollën e mesme, po ashtu universitetin që me qenë nxitja më e madhe ose motivim për të vazhduar mësimin ose zhvillimin akademik të nxënësve”, tha Menekshe.

Menekshe tregon se edhe komunitetet e tjera kanë nevojë të njohin njëri-tjetrin duke mësuar në literaturë për kulturën dhe traditat e romëve, ashkalive dhe egjiptianëve.

Ndërsa, thotë se aktualisht si tekste shkollore në gjuhen rome janë vetëm tri.

“Braktisja ose mos vazhdimi i shkollës te komuniteti rom është arsye edhe tek tekstet shkollore, nuk ekzistojnë aspak diversiteti i cili është ekzistues në Kosovë, mirëpo e kemi diversitetin që është jashtë Kosovës, nuk flasin për komunitetin rom, ashkali, egjiptian ose për festa të këtij komuniteti, unë si mësimdhënëse e gjuhës rome, jap mësimin fakultativ të gjuhës rome dhe ne kemi tri libra të gjuhës rome të cilat janë Abetare 1, 2, 3 të cilat janë akredituar nga Ministria e Arsimit”, tha ajo.

Berisha nga Ekipi për Parandalimin e braktisjes së shkollave apelon prindërit që t’i regjistrojnë fëmijët në shkolla, pasi vetëm me breza të arsimuar mund të ndryshojë gjendja për të mirë për të gjithë komunitetet.

“Tash edhe si paralajmërim për të gjithë prindërit që kanë fëmijë dhe dëshirojnë t'i regjistrojnë fëmijët në shkolla, si mesazh ua përcjellë që t'i regjistrojnë fëmijët në shkolla sepse shkollimi për fëmijë është shumë i rëndësishëm për jetën e tij, pasi pa shkollim nuk ka as punësim dhe gjendje ekonomike të mirë dhe gjendje emocionale ku përfshihen edhe e gjithë familja e tij”, tha Berisha.

Berisha shtoi se me ata të cilët tashmë kanë braktisur shkollimin punojnë me kurse të veçanta për t’i drejtuar drejt zanateve të ndryshme e më pas edhe për punësimin e tyre./Z.Berisha/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024