Nxënësit e komunitetit boshnjak: Lajmet e rreme, propagandë për manipulim
Edukimi Medial
Lexohet për: 5 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Lajmet e rreme për luftë në botë po ndikojnë në krijimin e tensioneve të ndryshme.

Këto lajme rreth luftërave nga komuniteti boshnjak në Kosovë, po cilësohen kryesisht si propagandë me pasoja negative për shoqërinë.

Në kuadër të projektit Edukimi Mediatik kundër dezinformimit për komunitetet jo-shumicë në Kosovë, nxënësit e shkollave në Pejë kanë mësuar sot si t’i dallojnë lajmet e rreme në mediat online.

Nxënësi Harris Bademoviq tha për KosovaPress se ka mësuar të dallojë informacionin e rremë dhe atë të vërtetë. Ai thotë se ka hasur në lajmë të rreme sikurse ato kinse Putin ka thënë se “lufta do të përfundojë nesër”.

“Mësova si të besoj në media, si të gjej informacionin e mirë, si të gjej dallimin midis informacionit të rremë dhe atij të pasaktë. Lajmet e rreme janë të rrezikshme. Mund të krijojë shumë tensione kundër njerëzve. Për shembull, për luftën në Ukrainë. E pashë informacionin kur Putin tha se lufta do të përfundojë nesër, por kur kërkova pak, pashë se ishte lajm i rremë. Ne mund t'i paralajmërojmë njerëzit dhe t'i informojmë ata se si të gjejnë dallimin midis informacionit të rremë dhe atij të vërtetë,” tha Haris.

Edhe nxënësi tjetër Haris Kaçamakoviq thotë se ka hasur në shumë lajme të rreme, në mesin e tyre edhe ato për luftën në Gazë.

“Mësova si të jesh i sigurt në media, si të veprosh në media dhe si të mos veprosh në media. Duhet t'i shmangim lajmet e rreme nëse mund t'i dallojmë dhe nëse gjejmë lajme të rreme duhet të kontrollojmë dy herë, duhet të verifikojmë. Po, pashë një (lajm të rremë) për luftën në Gaza, ku isha i lumtur sepse po e përmendnin sikur lufta po mbaronte sot, por kur e kontrollova kuptova se ishte një gënjeshtër dhe lajm i rremë,” ka thënë ai.

Zeq Kojiq nga gjimnazi “Bedri Pejani” në Pejë tregon se lajmet e rreme kanë “pushtuar” internetin.

“Lajmet e rreme është diçka që nuk ka vend në jetën tonë, megjithatë ato janë të pashmangshme duke pasur parasysh se ne përdorim internetin çdo ditë, interneti është plot me to. Sot patëm mundësinë të mësojmë se si t'i shmangim dhe si t’i njohim ato. Sot gjithsesi mund të shohim shumë lajme të rreme, para së gjithash në këtë kohë luftërash, të themi lajme sportive të rreme, kemi marrë lajme disa shembuj të lajmeve të tilla si për shembull, deklarata e Putin, se lufta me Ukrainën duhet të përfundojë, por kur të bëhet kontrolli, mund të konkludojmë se kjo nuk është kështu dhe se është vetëm propaganda që dëshiron të manipulojë me mendimet dhe ndjenjat tona,” ka potencuar Kojiq.

Profesori i matematikës në shkollën e mesme teknike “Rifat Gjata” në Pejë, Edin Pashiq ka folur mbi efektet negative që shkaktojnë për mbajtjet e rreme.

“Mendimi im është se fëmijët duhet të dallojnë informacionin në mënyrën më të mirë, duke marrë parasysh së pari informacionin që lexojnë në media ose në internet, në mënyrë që të mos transmetojnë menjëherë informacion të rremë, por ta shqyrtojnë nëse ai informacion është i saktë apo i pasaktë, më pas të regjistrojë përmbajtjen e tyre. Ndikimi i tyre te gjeneratat e reja është shumë i rëndësishëm, sepse gjeneratat e reja para se ta shqyrtojnë  informacionin, ata së pari e transmetojnë, ndërsa më pas përmbajtja e tyre mund të jetë shumë e keqe për shoqërinë,” ka thënë ai.

Trajnuesja e projektit, Linda Baleta ka theksuar se fokusi i trajnimeve nuk është vetëm tek identifikimi i informatave të rreme, por edhe ndikimin që ka media mbi perceptimet në zgjedhjet që nxënësit bëjnë në jetë.

“Me trajnimin tonë për edukimin mediatik synojmë të fuqizojmë të rinjtë nxënësit e shkollave të mesme të dallojnë informacionet që duhet t’i besojnë. Me këto trajnime po i pajisim në mënyrë që ata të jenë në gjendje të marrin vendime të mirinformuara dhe të bëhen qytetarë të përgjegjshëm. Fokusi i trajnimeve nuk është vetëm tek identifikimi i informatave të rreme, por edhe të kuptojnë ndikimin që media ka mbi perceptimet në zgjedhjet që ata bëjnë në jetë,” ka thënë ajo.

Projekti “Edukimi mediatik kundër dezinformimit për komunitetet jo-shumicë në Kosovë”, mbështetur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, ka filluar rreth tre vjet më parë.

Ky projekt ka përfshirë trajnime për nxënësit e komuniteteve jo-shumicë në shumicën e qyteteve të Kosovës. Qëllimi i tij është që të rinjtë e këtyre komuniteteve të mësojnë të dallojnë përmbajtjet e rreme nga ato të vërtetat. Po ashtu, përmes ushtrimeve dhe tematikave të trajtuara gjatë trajnimeve, synohet të zhvillohet mendimi kritik i pjesëmarrësve.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024