Policia e Kosovës bëri të ditur se ka identifikuar se kërcënimi i publikuar ndaj kryeministrit në detyrë Albin Kurti në rrjetet sociale është bërë nga territori i Serbisë, pikërisht nga qyteti i Kralevës.
Policia sonte njoftoi se menjëherë pasi pranoi informacionin për kërcënim ndaj Kurtit nga një profil “Severna Brigada” (Brigada e Veriut), organizatë e shpallur terroriste nga institucionet e Kosovës, ka zhvilluar hetime në koordinim me Prokurorinë Speciale dhe me mbështetjen e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike.
“Me këtë rast janë identifikuar IP-adresa e përdorur dhe të dhënat personale të përdorura gjatë regjistrimit”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Sipas autoriteteve, analizat e kryera nga njësitë kompetente kanë siguruar edhe të dhëna shtesë që pritet të ndihmojnë në hetimet e mëtejshme lidhur me rastin.Në mesazhin e publikuar nga kjo organizatë në rrjetet sociale, thuhet “Sa të lindë agimi mbi Kosovë, Albin Kurti do të jetë i vdekur”.
“Severna Brigada” është përmendur edhe më herët në raste të incidenteve dhe kërcënimeve me prapavijë ekstremiste në veri të Kosovës, ndërsa mesazhi i fundit konsiderohet si përshkallëzim i retorikës kërcënuese ndaj institucioneve të Kosovës.
Bashkë me “Severna Brigada”, organizatë terroriste u shpall edhe “Civilna Zaštita” (“Mbrojtja Civile”).