“Po mungon angazhimi”, Fetahu paralajmëron ndryshime të mëdha në Kombëtaren e Kosovës në basketboll
Sport
Lexohet për: 4 min.
Dëgjoje me zë...
“Po mungon angazhimi”, Fetahu paralajmëron ndryshime të mëdha në Kombëtaren e Kosovës në basketboll
fetahu-200726
20/07/2026 - 20:24
Linku u kopjua

Presidenti i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Arben Fetahu, ka paralajmëruar ndryshime të mëdha në Kombëtaren e Kosovës pas humbjeve ndaj Shqipërisë dhe Sllovakisë në parakualifikimet për EuroBasket 2029, duke theksuar se është koha për një ripërtëritje të ekipit dhe se do të bëhet një analizë e thellë për secilin basketbollist.

Duke folur në SportCast, Fetahu u shpreh i zhgënjyer me paraqitjen e Kosovës në ndeshjen ndaj Shqipërisë, duke vlerësuar se problemi kryesor nuk ishte cilësia, por mungesa e angazhimit dhe motivimit të lojtarëve në parket.

“Në realitet ajo çka, ditën e ndeshjes kundër Shqipërisë, nuk kemi treguar, është angazhimi. Angazhimi ka munguar. Hiç dy-tre lojtarë, për të cilët nuk mund t'u japim tash asnjë vërejtje, të tjerët nuk e ke parë as zjarrin në sy. Domethënë nuk e ke parë motivimin, ambicien e duhur për ta kryer këtë lojë si duhet për të fituar ndeshjen. Në realitet e kishe bindjen që atë dy çerekët e parë që, po presim edhe pak edhe pastaj hyjmë në seri edhe kryhet kjo lojë. Na edhe arritëm të ishim pesë përpara ose katër përpara, 3-4 minuta para fundit. Por ashtu loja nuk fitohet. Shqipëria e ka dashur shumë më shumë fitoren atë ditë, dhe ka fituar me shumë meritë. E ne duhet vërtet me hy në një analizë të thellë për ta parë se si lojtarët shqiptarë këndej kufirit, të cilët e kanë një trajtim të jashtëzakonshëm prej klubeve edhe prej federatës, nuk e kanë dëshirën me fitu një ndeshje për vendin e vet. E kjo analizë, mbasi që t'i bëjmë t'i nxjerrim të gjitha parametrat, t'i nxjerrim edhe të mirat dhe të këqijat, se ne raportet fillestare i kemi do të thotë edhe prej edhe prej përfaqësuesit edhe prej drejtorit. Po unë i kam kërkuar, edhe dje në bord kemi thënë që ne duhet të kemi raporte shumë më të thella, individuale për secilin prej tyre, të shohim secili prej tyre sa e ka dashur ndresën e Kosovës dhe sa ka dashur të luftojë atë ditë”, theksoi Fetahu.

Presidenti i FBK-së bëri të ditur se pas këtij cikli është koha për të nisur një proces ripërtëritjeje në Kombëtaren e Kosovës, duke vlerësuar kontributin e gjeneratës aktuale, por duke theksuar se e ardhmja duhet t'u takojë basketbollistëve të rinj.

Ai shtoi se federata tashmë ka ndërmarrë hapa për t'u krijuar më shumë hapësirë lojtarëve vendorë dhe pret që kjo të reflektohet edhe në rezultatet e ardhshme.

“Nën një, falënderimin e përjetshëm për ata të cilët kanë dhënë këto 10 vjet të fundit, edhe ripërtëritjen. Nuk ka rrugë tjetër këtu. Nëse ne duhet të vazhdojmë të humbim, është më mirë të humbim me djem dhe me vajza të reja. Domethënë me ata të cilët duhet t’i rrisim dhe t’i përgatisim për tre vjet, pesë vjet, shtatë vjet të ardhshme. Nuk është që jemi duke arritur ne rezultate pse jemi duke i shfrytëzuar lojtarët më të mirë të cilët i kemi në dispozicion sot, e disa prej të cilëve, ose themi një numër i konsiderueshëm i të cilëve i ka 35 e lalrtë, edhe shumica i kanë 30 e të lartë. Nëse kemi me vazhdu me u përballë me mungesë të rezultateve, është non-sens mos me e krijuar, mos me e bërë ripërtëritjen. Është non-sens për shkak se vërtet nuk bëhet lojtari në stërvitje. Ne edhe me vendimin e fundit që kemi marrë për zvogëlimin e numrit të lojtarëve të huaj që ka qenë ideja përfundimtare, ne duhet t'i japim më shumë hapësirë lojtarëve tanë. Ne e kemi garantuar profesionalizmin e lojtarëve tanë, me mbrojtje administrative të cilat ua kemi dhënë. Por qysh na është kthyer kjo mbrapa neve si rezultat, nuk jemi të kënaqur, as s'mund të jemi të kënaqur me këtë”, u shpreh Fetahu.

Kosova i mbylli parakualifikimet për EuroBasket 2029 me humbje ndaj Shqipërisë dhe Sllovakisë, duke mbetur jashtë fazës së ardhshme të garës. Pas këtij dështimi, në FBK pritet të nisin ndryshime në Kombëtare, me fokus te ripërtëritja e ekipit dhe ndërtimi i një gjenerate të re për ciklet e ardhshme.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026