Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, ka vendosur një tarifë prej 50% për një gamë të gjerë mallrash të importuara nga Kanadaja, në shenjë hakmarrjeje për atë që ai e quajti “trajtim të pabarabartë” të makinave, produkteve të qumështit dhe alkoolit amerikan, raporton BBC, transmeton KosovaPress.
Kryeministri Mark Carney u përgjigj duke thënë se Kanadaja ishte e gatshme të “intensifikonte” bisedimet tregtare me ShBA-në në javët e ardhshme.
“Ky është veprimi i fundit në një seri veprimesh të njëanshme tregtare të SHBA-së që filluan me vendosjen e një sërë tarifash nga SHBA-ja në shkelje të drejtpërdrejtë të Marrëveshjes Kanada-Shtetet e Bashkuara-Meksikë”, tha Carney në një deklaratë për X.
Ai përmendi gjithashtu “kërcënime ndaj sovranitetit kanadez”, një referencë e mundshme për thirrjet e Trump për ta bërë fqinjin verior të Amerikës shtetin e 51-të të SHBA-së.Artikuj të konsumit të përditshëm si vera dhe shkopinjtë e hokejit dhe mallra industriale si çimentoja janë ndër mallrat e synuara. Megjithatë, disa eksporte kyçe do të kursehen, siç janë energjia, potasiumi, mineralet kritike dhe peshku.
Taksat e importit të së hënës mbështeten në barrierat tregtare që tashmë janë në fuqi midis dy vendeve.