Partia Demokratike e Kosovës (PDK) duket se nuk është e gatshme të futet në koalicion me Vetëvendosjen për qeverinë e re.
Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, në një prononcim për KosovaPress ka thënë se asnjë deklaratë e liderit të LVV-së, Albin Kurtit, përfshirë atë të djeshmen për çështjen e presidentit, nuk duhet të merret seriozisht.
“Besoj se nuk i merren për seriozisht Albin Kurtit asnjë deklaratë sepse për të më e rëndësishme është partia politike, Vetëvendosja, sesa vet shteti i Kosovës. Ju kujtoj se ky ishte në gjendje që tri herë radhazi ta dërgoj vendin në zgjedhje sesa të ketë një kompromis për të mirën e vendit, prandaj nuk pres ndonjë ndryshim nga ky. Problemi kryesor është Albin Kurti dhe për të më e rëndësishme është pozita, karrigia e pushtetit sesa vet Kosova. Prandaj ka mbjell urrejtje dhe ushqim të përçarjes së popullit, sesa ka mbjell një lloj uniteti në popull. E kemi parë edhe në fushatën e tij që më shumë ka fol për emër të përveçëm e përçarje sesa për rezultate të qeverisjes së tij. Prandaj, në këtë fazë unë besoj që duhet të shikojmë certifikimin dhe të fol vet kryetari dhe partitë politike”, tha Lushtaku për KosovaPress.
Lushtaku: PDK-ja s’duhet të jetë e gatshme të shkoj në koalicion dhe të diskutojë me VV-në për asnjë pozitë
“Personalisht besoj që PDK-ja nuk duhet të jetë e gatshme dhe besoj që duhet të qëndrojë me elektoratin besnik të PDK-së që të mos shkojë në koalicion me Vetëvendosjen dhe të mos diskutojë për asnjë pozitë në këto rrethana sepse e kemi parë çfarë i ka sjell Kosovës një pushtet i tillë përçarës, një pushtet i tillë që për të më e rëndësishme është një çlirimtar i vdekur sesa një çlirimtar në Kosovë e në pushtet”, tha Lushtaku për KosovaPress.
Në lidhje me deklaratën e djeshme të Kurtit ku tha se janë partitë opozitare ato që duhet të ndërrojnë qasje për sa i përket çështjes së presidentit, për KosovaPress ka folur edhe analisti politik, Blerim Canaj, i cili tha se përmbajtja e asaj çka tha Kurti dje, duket sikur që prapë mund të kemi një situatë të njëjtë si herën e fundit kur vendi shkoi në zgjedhje.
Kurse, analisti Arbnor Sadiku, tha se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka tendencë për ta frikësuar opozitën që të lëshojnë pe për çështjen e presidentit. Sipas tij, opozita nuk duhet që të lëshojë pe në këtë pikë, teksa shtoi se Kurti do të duhej më patjetër që t’ia jepte opozitës postin e presidentit.
“Duket se ai nuk ka ndryshuar edhe pse rezultati zgjedhor nuk është ai i dhjetorit ku 5-6 për qind do të jetë ndryshe sesa ai i dhjetorit. Megjithatë, është një tendencë për ta frikësuar opozitën që të lëshojnë pe për presidentin, megjithatë unë konsideroj se opozita e ka kauzën e saj dhe presidenti ka qenë një prej kauzave kryesore dhe mendoj se ata nuk duhet të lëshojnë pe. Sa i përket Kurtit, konsideroj se do të duhej t’i krijonte institucionet dhe natyrisht që presidentin patjetër t’ia jep opozitës për faktin se do të krijoheshin balancet politike dhe në të njëjtën kohë do përçohej edhe fryma kushtetuese”, tha Sadiku për KosovaPress.
Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...