Sporti i arteve marciale të përziera (MMA) po përjeton një rritje të vazhdueshme në Kosovë.
Edhe pse federata është ende relativisht e re dhe përballet me mungesë të mbështetjes institucionale, rezultatet e arritura gjatë viteve të fundit tregojnë se ky sport ka potencial të madh për zhvillim.
KosovaPress ka vizituar klubin “038 Fight Club”, në mes të një procesi stërvitor ku ka folur nënkryetari i Federatës së MMA-së së Kosovës dhe kryetrajneri i klubit 038 Fight Club, Lirim Bllaca. Ky i fundit thotë se sporti ka hyrë në një fazë të re zhvillimi pas një periudhe të gjatë stagnimi. Ndërkaq, për përvojën në garat ndërkombëtare dhe synimet e ardhshme ka folur edhe garuesi i këtij klubi, Arber Bricori.
“MMA në Kosovë ka pasur një ngritje shumë të madhe gjatë dy viteve të fundit. Pas krijimit të federatës kishte një periudhë të gjatë pa organizime dhe aktivitete, mirëpo në dy vitet e fundit ka pasur një riorganizim të federatës. Në rolin e kryetarit është Arben Latifi, vëllai i ish-luftëtarit të UFC-së, Ilir Latifi. Pas këtyre ndryshimeve kemi filluar me aktivitete, kemi organizuar kampionatin kombëtar dhe kemi marrë pjesë në kampionatin evropian. Në përgjithësi, klubet janë aktivizuar dhe, sipas informatave që kemi, aktualisht janë mbi 100 garues në të gjithë Kosovën”, u shpreh Bllaca.Sipas nënkryetarit, viti 2026 po rezulton të jetë një nga vitet më të suksesshme për MMA-në kosovare, falë paraqitjeve të mira në garat ndërkombëtare.
Njëri nga garuesit e 038 Fight Club, Arbër Bricori medalist në Kroaci, foli për përvojën e fituar në garat ndërkombëtare dhe objektivat e ardhshme.
038 Fight Club, me seli në Emshir të Prishtinës, është një nga klubet më aktive të MMA-së në vend. Klubi zhvillon stërvitje për grupmosha të ndryshme dhe ka kontribuar në përgatitjen e sportistëve që kanë përfaqësuar Kosovën në gara ndërkombëtare, duke u shndërruar në një nga qendrat kryesore të zhvillimit të këtij sporti në vend.