Koordinimi në mes të Kosovës dhe Shqipërisë për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në rajon, është vendimtar sipas presidentes së vendit, Vjosa Osmani. Ajo është deklaruar rreth shqetësimeve të shqiptarëve në Maqedoni të Veriut se atje po rrezikohen të drejtat e tyre.
Osmani, në adresimin vjetor para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se do të bëjnë “çmos që të mos bëhet asnjë hap prapa”.
Sipas saj, duhet të ketë koordinim të vazhdueshëm në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, sa i përket të drejtave të shqiptarëve në rajon.
Gjatë fjalimit në Kuvendin e Kosovës, Osmani ka folur edhe për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në Luginë."Sot ka akoma shqiptarë në rajon që përballen me vështirësi e shkelje të të drejtave të njeriut. Në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, spastrimi etnik nëpërmjet pasivizimit të adresave, shkelje kjo e konfirmuar edhe nga Parlamenti Evropian, departamenti amerikan i shtetit e të tjerë, tashmë ka marrë edhe vulën e gjykatave tërësisht të politizuara të Serbisë të cilat po e mirëmbajnë diskriminimin. Fatkeqësisht reagimi ndërkombëtar ndaj këtyre shkeljeve po mungon. Përkundër shkeljeve flagrante të të drejtave të shqiptarëve në Serbi po mungojnë, po ashtu, veprimet në raport me Serbinë sa i përket marrjes përgjegjësi për këto shkelje”, ka thënë ajo.