Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti konsideron që qeveria e Kosovës nuk duhet të qëndrojë në heshtje sa i përket shqetësimeve të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Në prag të takimit të dy qeverive, që do ta mbahet sot në Prishtinë, Ahmeti i bën thirrje ekzekutivit kosovar që të flas me kryeministrin maqedonas sa i përket problemeve të shqiptarëve atje.
Kreu i BDI-së ka shprehur shqetësim për mosrespektim të Marrëveshjes së Ohrit, pas iniciativave për shfuqizimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve.Ligji për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni të Veriut i detyron institucionet shtetërore të lejojnë përdorimin zyrtar të gjuhëve që fliten nga të paktën 20 për qind e qytetarëve. Këtu bëhet fjalë edhe për gjuhën shqipe.
Atje rreth 30 për qind e popullsisë janë shqiptarë, nga rreth 2 milionë banorë sa numëron shteti.Diskutimi për të vjen pasi në pushtet atje ka ardhur VMRO-DPMNE, e cila ishte kundër këtij ligji.
“Në Maqedoni të Veriut zhvillimet politike nuk premtojnë ndonjë perspektivë të qëndrueshme, sepse kanë ardhur disa iniciativa për ndryshimin e Ligjit të gjuhës shqipe, që kjo iniciativë, ma kujton 1989 kur Millosheviqi suprimoi autonominë e Kosovës, që nuk është mirë as për komunitetin maqedonas dhe shqiptarët... Sepse prekët substanca, palca e marrëveshjes paqësore të Ohrit me ndryshimet që pretendohet t’i bëjnë mbi ligjin dhe përdorimin e gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut, është hequr përkatësia etnike, gjithashtu që është pjesë, substanca e marrëveshjes paqësore të Ohrit, sepse pa përkatësinë etnike dhe deklarimin e etnisë, mund të gjinden dhjetëra arsye pse shqiptarët janë jo të përgatitur profesionalisht edhe të lihen të margjinalizohen, faktikisht po instalohet dominimi i shumicës mbi komunitetin e dytë shqiptar në Maqedoninë e Veriut dhe këto zhvillime janë shqetësuese për ne”, ka thënë Ahmeti.
Sipas Ahmetit, veprimet e pushtetit atje po e rrezikojnë ketë marrëveshje.
Sipas Ahmetit, institucionet shtetërore duhet të bëjnë përpjekje politike e diplomatike, që Kosova të anëtarësohet në INTERPOL dhe të angazhohen maksimalisht që të mos maltretohen ish-ushtarët e UÇK-së.
“Institucionet duhet të angazhohen që Kosova dhe institucionet e saj, në radhë të parë duhet të bëjnë përpjekje politike diplomatike, që Kosova të anëtarësohet në INTERPOL sepse Serbia është anëtare e INTERPOL-it, i bënë denoncimet në INTERPOL. Ata detyrimisht, detyrohen që të respektojnë vendimet e qendrës dhe të gjitha shtetet obligohen që të respektojnë vendimet e shteteve përkatëse që janë anëtare të INTERPOL-it. Institucionet duhet të angazhohen maksimalisht që të mos maltretohen ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kjo punë mbetet punë institucionale”, thotë Ahmeti.
Ahmeti ka ngritur shqetësime se Maqedonia e Veriut mund të “kthehet në periudha pasigurie” me vendimet e ekzekutivit për të ndryshuar apo për të rishikuar Ligjin për përdorimin e gjuhëve.
Qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut do të mbajnë sot mbledhje të përbashkët, ku pritet të nënshkruhen disa marrëveshje.