Vendim të drejtë e të pandikuar politikisht, pret për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë, ish-bashkëluftëtari i tyre, Lahi Brahimaj. Ai beson se ata do të shpallen të pafajshëm si dhe pret kthimin sa më parë të tyre në Kosovë.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vititt 2020. Zyra e Prokurorit të Specializuar i ngrakon ata me krime të pretenduara të luftës.
“Unë shumë besoj që pas shqyrtimit të provave të ofruara nga prokuroria, pastaj nga mbrojtja, Gjykata do të nxjerrë një vendim të drejtë, të pa ndikuar politikisht, dhe unë shumë besoj që bashkëluftëtarët e mi do të shpallen të pafajshëm dhe shumë shpejt besoj se do të kthehen në Kosovë”, thotë Brahimaj, i cili ishte përballur vetë me proces gjyqësor, atëherë në Tribunalin e Hagës, prej të cilit kishte dalë i pafajshëm në vitin 2012.
Proceset pranë Gjykatës Speciale në Hagë vazhdojnë të kritikohen në Kosovë, kryesisht për mos transparencë.Zyrtarë të lartë shtetërorë kanë deklaruar se duhet të ketë mekanizëm për mbikqyrjen e Gjykatës Speciale. Por deri tani nuk është ndërmarrë asnjë nismë.
Në anën tjetër, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë në dhjetor të vitit të kaluar, gjatë një fjalimi në Kuvendin e Kosovës, se nëse ky institucion do të ndërmerrte nismë për ndonjë rezolutë lidhur me proceset pranë Speciales, partia e tij do ta depozitonte të njëjtën në Kuvendin e Shqipërisë.
Intervista e plotë në sistemin me parapagim