Me ekspozitën “Loja e ndërprerë” e dhjetëra lodra të braktisura, është hapur sot Muzeu i Fëmijëve të Luftës, për ruajtjen e kujtimeve të fëmijëve gjatë luftës në Kosovë dhe për të siguruar që përvojat personale të luftës të mos harrohen.
Drejtoresha e Muzeut, Bjeshkë Guri, tha se ekspozita e hapur me këtë rast përçon mesazhe plot emocione komplekse të cilat vetëm lufta mund t’i sjellë.
Ani pse ky muze mban një peshë të rëndë të rrëfimeve, nuk ishte i rëndësishëm për institucionet shtetërore. Drejtoresha e YIHRS në Kosovë, Marigona Shabihu tha se që pesë vjet është kërkuar një hapësirë publike për të vendosur muzeun, por përpjekjet ishin të dështuara shkak i mosgatishmërisë së institucioneve.
Ajo shtoi se muzeu për momentin do të jetë i hapur përkohësisht në një hapësirë private.