Akademik Rexhep Qosja derisa shkruante për shkrimtarin e madh shqiptar Ismail Kadare, ndër të tjera kishte perënduar edhe ditëlindjen e vet, duke thënë se në qershor do t’i mbush 90 vjet, por se pengu i tij njerëzor mbetet sikur të dy të ngrinin një dolli së bashku.
Por sikur Kadare, ashtu edhe vet Qosja nuk i mbushi 90 vjet. Kadare vdiq në moshën 88 vjeçare. Kurse, Qosja vdiç para pak ditësh, konkretisht më 23 prill.
Ai madje theksonte se ndoshta kjo mbetet një peng i tij njerëzor, por jo një peng kulturor, qytetërues, sepse dialogu në mes tij dhe Kadares vazhdon nëpërmjet veprave tona.
Letra e plotë nga Rexhep Qosja në aktivitetin për 90-vjetorin e Ismail Kadaresë, pas vdekjes, të mbajtur më 28 janar 2026."Shumë e nderuar Ministre e Jashtme, Elisa Spiropali,
Shumë të dashura Helena, Gresa dhe Besiana,
Sot, më 28 janar 2026, po shënohet 90-vjetori i lindjes së shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare. Kjo datë është ditëlindja e një krijuesi të jashtëzakonshëm, por edhe ditë kujtese, sepse Ismail Kadare nuk është më fizikisht mes nesh. Ai u nda nga jeta në vitin 2024, duke lënë pas një vepër që ka tejkaluar kohën e vet dhe kufijtë e gjuhës së vet.
Ismail Kadare dhe unë jemi njohur dhe jemi afruar qysh në vitet shtatëdhjetë. Kemi qenë miq, bashkëbisedues, lexues dhe kritikë të njëri-tjetrit. Kemi shkruar për veprën e njëri-tjetrit dhe kemi ndarë vlerësime të ndërsjella.
Ne, të dy, secili në anën e vet të kufirit që na ndante, u përballëm me fate të ndryshme, të rënda dhe shpeshherë të padrejta. Rrethanat historike, politike dhe shoqërore, të cilat nuk i zgjodhëm ne, por që na u imponuan, na vunë përballë provave morale dhe intelektuale që kërkonin jo vetëm qëndresë, por edhe vendime të vështira personale.
Këtë qëndrim do ta dëshmoj shpejt duke e vizituar Ismail Kadarenë në banesën e tij në Paris.
Por, siç ndodh shpesh mes intelektualëve që mendojnë thellë dhe ndryshe, kemi pasur edhe mospajtime, edhe polemika.
Sot, duke e kujtuar Ismail Kadarenë në 90-vjetorin e lindjes së tij, unë ndjej nevojë të theksoj diçka të rëndësishme: madhështia e tij si shkrimtar dhe rëndësia e tij historike për kulturën shqiptare janë përtej çdo mospajtimi. Letërsia nuk matet me pajtime apo mospajtime personale, por me thellësinë e mendimit, me fuqinë e gjuhës dhe me ndikimin e saj afatgjatë.
Ismail Kadare ishte dhe mbetet para së gjithash shkrimtar i kombit të vet. Ai e deshi Shqipërinë jo në mënyrë deklarative, por krijuese. Ai e deshi atë duke e shndërruar historinë, dramën dhe shpirtin shqiptar në letërsi të madhe.Ismail Kadare sot nuk ka nevojë për lavde të rastit. Ai ka nevojë për lexim, rilexim dhe kuptim. Ai ka nevojë që vepra e tij të trajtohet me seriozitet shkencor dhe me ndjeshmëri kulturore. Brezat që vijnë mund ta lexojnë ndryshe, por gjithmonë do ta lexojnë dhe do ta adhurojnë.
Ndarja e tij nga jeta, po rithem, është vetëm ndarje trupore. Emri, vepra dhe mendimi i tij, po rithem, janë të gjithmonshëm. Në këtë 90-vjetor të lindjes së tij, Ismail Kadare, po rithem, mbetet personalitet madhor historik i kulturës shqiptare, një nga figurat që do të vazhdojë të na sfidojë, të na shqetësojë dhe të na frymëzojë.