Afaristi dhe ish-kandidati për deputet në Parlamentin Evropian nga komuniteti shqiptar në Itali, Muharrem Salihu, ka bërë thirrje për një angazhim më të madh institucional në mbështetje të shqiptarëve në Medvegjë, duke vlerësuar se kjo komunë po përballet me sfida serioze që rrezikojnë praninë e shqiptarëve në këtë trevë.
Në një reagim publik, Salihu shprehet se Medvegja po mbetet jashtë vëmendjes institucionale, duke përmendur se edhe gjatë vizitave të nivelit të lartë nga Shqipëria, ndalesat zakonisht bëhen në Preshevë dhe Bujanoc, ndërsa Medvegja lihet jashtë agjendës.
Ai thekson se shqiptarët në Medvegjë po përballen me pasivizimin e adresave, largimin e banorëve, zvogëlimin e përfaqësimit institucional dhe presione që, sipas tij, rrezikojnë të ndryshojnë strukturën demografike të zonës.
Salihu kërkon mbështetje konkrete ekonomike, arsimore, kulturore dhe diplomatike për Medvegjën, duke theksuar se kjo komunë nuk kërkon privilegje, por të mos harrohet.Sipas tij, mbrojtja e Medvegjës është thelbësore për forcimin e pozitës së shqiptarëve në të gjithë Luginën e Preshevës dhe në Serbi.
“Nëse mbrohet Medvegja, forcohet edhe pozita e shqiptarëve në Preshevë dhe Bujanoc. Nëse Medvegja dobësohet, pasojat nuk do të kufizohen vetëm aty, por do të prekin edhe Bujanocin dhe Preshevën. Prandaj, Medvegja nuk është thjesht një çështje lokale. Ajo është një prioritet. Vëmendja ndaj saj duhet të jetë maksimale, angazhimi institucional i pandërprerë dhe mbështetja politike e diplomatike e pakursyer. Kujdesi ndaj Medvegjës nuk është vetëm mbrojtje e një komune. Është mbrojtje e dinjitetit kombëtar, e të drejtave të shqiptarëve në Serbi dhe e së ardhmes së gjithë shqiptarëve ne Serbi”.