Ngjarjet që karakterizuan veriun e Kosovës gjatë vitit 2024
Lajme
Lexohet për: 8 min.
Ngjarjet që karakterizuan veriun e Kosovës gjatë vitit 2024
Foto Ilustruese
2 ditë më parë
Linku u kopjua

Mitrovica ka qenë ‘kryefjala’ e situatave të krijuara nga politika dhe qyteti i parë që ka vuajtur pasojat e tensioneve në veri gjatë vitit 2024.

Qytetarët serbë në veri të vendit, të pakënaqur me zgjedhjen e kryetarëve shqiptarë në katër komunat veriore,  nisën qysh në janar të këtij viti organizimin e mbledhjes së nënshkrimeve për shkarkimin e tyre. Me mbajtjen e peticionit së pari në veri të Mitrovicës dhe Leposaviq më 17 janar, si dhe në Zveçan e Zubin Potok më 20 janar, u hap rruga e mbajtjes së referendumit për shkarkimin e udhëheqësve komunalë, duke përmbushur kushtin prej 20 për qind të nënshkrimeve nga numri i përgjithshëm i votuesve, ndërsa referendumi për shkarkimin u caktua për muajin prill.

Ndërkohë, qyteti i Mitrovicës sërish u bë vend i tensioneve dhe protestave të serbëve në shkurt të vitit 2024. Të pakënaqur me rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila përjashton dinarin serb për kryerjen e pagesave, mijëra serbë nga komunat veriore dhe më gjerë, protestuan më 12 shkurt pranë urës kryesore të Ibrit në Mitrovicë. Ata kundërshtonin vendimin e autoriteteve të Kosovës që vetëm euro të jetë valutë për pagesa. Protesta e 12 shkurtit u përkrah nga Sindikata që përfaqëson punëtorët e sistemit paralel të Serbisë në Kosovë, e cila njëherësh bëri thirrje të gjithë punëtorëve në Kosovë, përfshirë sektorin e arsimit, shëndetësisë, punëtorët e postës dhe ata që punojnë në minierën Trepça, për pjesëmarrje masovike në këtë protestë. Të njëjtën ditë, në veri të Mitrovicës u shpërndanë fletushka nga organizata e ashtuquajtur ‘Mbrojtja Popullore’ të cilat në fakt ishin udhëzues për qytetarët serbë se si duhet sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës kudo që vërehen nëpër rrugët e veriut, duke përfshirë këtu edhe përdorimin e koktej molotovit. Vetëm falë profesionalizmit të pjesëtarëve të policisë, kjo protestë përfundoi e qetë dhe pa incidente të theksuara.

Pas mesazheve të organizatës ‘Mbrojtja popullore’, por edhe të organizatave tjera siç janë ‘Mbrojtja civile’, ‘Brigada e veriut’ etj, të cilat nxitnin grupe të caktuara për dhunë ndaj Policisë së Kosovës, pjesëtarët e kësaj të fundit u vunë menjëherë në shënjestër të këtyre sulmeve. Përveç policisë dhe objekteve të tyre, cak ishin edhe mediat e qytetarët tjerë.

Ministri i Punëve të Brendshme të vendit, Xhelal Svecla, gjatë lansimit të raportit ‘Siguria në veri të Kosovës pas sulmeve terroriste në Banjskë dhe kanalin Ibër-Lepenc’, theksoi se janë shënuar qindra sulme ndaj policisë e mediave në veri. ‘Ne numërojmë qindra sulme ndaj policisë, mediave e qytetarëve, pas të cilave qëndron Serbia. Por, lufta ndaj krimit të organizuar ka qenë zotimi ynë dhe qeveria është e fokusuar me të gjitha kapacitetet”, pati thënë mes tjerash ministri Sveçla.

Pas verifikimit të nënshkrimeve të peticionit të dorëzuara në KQZ nga Kuvendet Komunale të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi që më 21 prill të mbahet referendum për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës. Referendumi u bojkotua në masë të madhe nga serbët, me c’rast në katër komunat veriore u regjistruan vetëm rreth 100 qytetarë të cilët kishin votuar. Thirrja e Beogradit zyrtar përmes Listës serbe për të bojkotuar referendumin e 21 prillit ka nxitur reagime të shumta vendore dhe ndërkombëtare. Njohësit e rrethanave politike në vend kanë vlerësuar se ky bojkot është hap i radhës nga Serbia për ta zvarritur procesin e dialogut. Në anën tjetër, për Bashkimin Evropian rezultati i procesit të votimeve të 21 prillit nuk kontribuon në uljen e tensioneve dhe në hapjen e rrugës për kthim të serbëve në institucionet e Kosovës. Ambasadori francez në Kombet e Bashkuara pati thënë se në veriun e Kosovës duhet të organizohen zgjedhje të reja me pjesëmarrje të të gjitha komuniteteve, për të zgjedhur kryetarët e rinj të katër komunave me shumicë serbe. Sipas ambasadorit francez, kjo do të ishte mënyra më e shpejtë për rivendosje të demokracisë në veri.

Pas përfundimit të afatit për periudhën tranzitore të dinarit që zgjati tre muaj, përkatësisht deri më 11 maj 2024, autoritetet në Kosovë, më 21 maj mbyllën gjashtë njësi të të ashtuquajturës bankë postare e kursimeve të Serbisë, ku gjithçka nisi sërish në qytetin e Mitrovicës, ndërsa synim ishte ndalimi i dinarit. Zyrtarët në Serbi kanë reaguar menjëherë, duke dënuar aksionin e Policisë së Kosovës ndaj objekteve të Bankës Postare Kursimore të Serbisë, mirëpo nuk munguan as kritikat e ndërkombëtarëve të cilat kërkonin që këto çështje të zgjidhen në kuadër të dialogut në Bruksel.

Dhjetëra institucione që vepronin sipas sistemit të Serbisë në veri, që nga fillimi i këtij viti e deri në ditët e fundit të dhjetorit, janë mbyllur nga autoritetet e Kosovës. Prapë Mitrovica printe, ku në veri të këtij qyteti u mbyllën institucione paralele e të ashtuquajtura organe të përkohshme. Komuna paralele e Mitrovicës Veriore, Komuna paralele e Skenderajt, Posta e Serbisë, Banka Kursimore e Postës, Instituti për Sigurime Pensionale e Invalidore, shumë Dretjori të cilat vepronin në objekte të ndara nga objekti i Komunës, janë vetëm disa nga shumë institucione paralele që u mbyllën gjatë këtij viti në veri të Mitrovicës.

Sa i përket urës kryesore mbi Ibër në Mitrovicë që ndan dhe bashkon këtë qytet, dhe e cila bart mbi supet e saj mbi 1 mijë incidente prej pasluftës e deri më sot, autoritetet e Kosovës me synim hapjen e saj për qarkullim edhe të automjeteve, kanë nisur procedurat për testimin e fuqisë mbajtëse të kësaj ure. U bënë testime, vlerësime, riparime e ngjyrosje, si dhe veprime tjera gjatë verës së këtij viti. Nuk munguan as vizitat e delegacioneve të ndryshme ndërkombëtare, duke përfshirë këtu edhe ushtarakë të lartë të NATO-s. Kjo nxiti serbët sërish në protesta, duke kundërshtuar hapjen e urës. Insistimi i qeverisë u përballë me kundërshtim të Bashkësisë Ndërkombëtare, të cilët kërkuan edhe një hap shtesë, respektivisht një diskutim të ri në dialogun Kosovë-Serbi.

Përveç situatës me sigurinë, problemeve politike, ndëretnike etj, qyteti i Mitrovicës u përballë edhe me mungesë dhe reduktime të rrepta të ujit për disa javë, pas sulmit terrorist në kanalin ujor të Ibër-Lepencit në fshatin Varagë të Zubin Potokut që ndodhi më 29 nëntor 2024. U arrestuan tetë persona, prej të cilëve gjashtë u liruan pak ditë më vonë, ndërsa dy prej tyre vazhdojnë të jenë në paraburgim. Sulmi me eksploziv ku nuk pati viktima, u dënua nga autoritetet vendore dhe ndërkombëtare, ndërsa kryeministri Kurti akuzoi fqinjin verior që sipas tij ka synuar të dëmtojë infrastrukturën më të rëndësishme të Kosovës.

Ndryshe, politika e Beogradit për të kërkuar një formë të ndarjes, po bëhet gjithnjë e më e fuqishme në qytetin e padëgjueshëm dhe të paqetë verior të Mitrovicës dhe në brendinë e saj. Edhe pse komuniteti ndërkombëtar pati deklaruar disa herë që statusi përfundimtar i Kosovës nuk duhet të përfshijë si mundësi ndarjen e territorit të saj, ky deklarim përveç se nuk është mbështetur me veprime të mjaftueshme, në margjina të politikave të shteteve të mëdha sikur po punohet krejt ndryshe. Për të shpëtuar apo evituar këtë situatë nevojitet nga ndërkombëtarët një përpjekje e madhe politike, financiare dhe e sigurisë. Ruajtja e integritetit territorial është një politikë jetike për Kosovën dhe më gjerë, sepse ndarja do të provokonte dyndje dhe shkëmbime të popullatës brenda Kosovës dhe jostabilitet në Ballkan, posaçërisht në Maqedoninë fqinje. /A. Damati/

https://kosovapress.com/akte-terroriste-sulme-ndaj-policise-e-kfor-it-te-vrare-e-te-plagosur-gjate-2023-es-ne-veri

https://kosovapress.com/shperthimi-ne-zubin-potok-islami-serbia-tentoi-defunksionalizimin-e-jetes-ne-kosove

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025