KQZ jep detaje për procesin e nesërm zgjedhor
Intervista
Lexohet për: 3 min.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tanimë ka shpërndarë materialin zgjedhor, përfshirë dhe fletëvotimet, për në komunat e Republikës së Kosovës, ndërkohë, pas përfundimit të procesit të votimit, në 941 qendra të votimit, do të nis numërimi i fletëvotimeve për subjektet politike, gjë që i mundëson këtij institucioni publikimin e shpejtë të rezultateve preliminare.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një intervistë për KosovaPress, tha se materialet janë vendosur në Qendrat Komunale të Numërimit dhe në orët e hershme të së dielës, do të shpërndahet në qendrat e votimit.
“Sipas planifikimeve, është bërë shpërndarja e materialit zgjedhor, përfshirë dhe fletëvotimet, për në komunat e Republikës së Kosovës. Materialet janë vendosur në Qendrat Komunale të Numërimit dhe në orët e hershme të së dielës, do të shpërndahet në qendrat e votimit, në të cilat procesi i votimit do të fillojë në orën 07:00. Numri i qendrave të votimit të cilat do të hapen më 9 shkurt 2025 është 941, prej të cilave 903 për votimin e rregullt me gjithsej 2,533 vendvotime dhe 38 qendra të votimit për votimin me kusht, nga një për çdo komunë, me gjithsej 56 vendvotime. Numri i qytetarëve me të drejtë vote, emrat e të cilëve janë të shpërndarë ne 903 qendra të votimit apo në 2,533 vendvotimet e tyre, pra për votimin brenda në Kosovë, është: 1,970,944”, tha Elezi.
Ai ka dhënë detaje se çka cilat vota do të numrohen nesër pas mbylljes së vendvotimeve.
“Sipas vendimit të KQZ-së, janë shtypur 1,752,650 fletëvotime, prej të cilave 1,664, 100 për votimin në vendvotime të rregullta, 28,450 për votimin me kusht, 38,650 për votimin e personave me nevoja të veçanta dhe si fletëvotime rezervë dhe 21,450 për votimin në përfaqësi diplomatike. Andaj, sipas vendimit të KQZ-së, janë shtypur 323,218 apo 15.57% fletëvotime më pak se numri i votuesve... Në ditën e zgjedhjeve, në vendvotime do të numërohet vetëm pjesa e fletëvotimit ku qytetarët kanë votuar për subjektet politike. Kjo ia mundëson KQZ-së, që brenda një kohe të shpejt të publikojë rezultatet preliminare për subjektet politike. Një ditë më pas, për dallim nga zgjedhjet e kaluara, ne Qendra Komunale të Numërimit, do të fillojë numërimi i pjesës tjetër të fletëvotimit, pra vota për kandidatët për deputetë”, shtoi Elezi.
Elezi është ndalur edhe të risia e këtyre zgjedhjeve e që është vendosja e kamerave vëzhguese në hapësirat brenda vendvotimit.
Për legjislativin e ri në garë gjithsej 28 subjekte politike me 1.280 kandidatë të certifikuar nga KQZ-ja.