Akte terroriste, sulme ndaj policisë e KFOR-it, të vrarë e të plagosur gjatë 2023-ës në veri
Lexohet për: 5 min.
10 muaj më parë
Linku u kopjua

Qyteti me katër lumenj, që në fillim të vitit 2023 u godit nga vërshime të mëdha dhe u përballë me pasoja të rënda.

Vërshime, zgjedhje, protesta, incidente, djegie veturash, sulme ndaj policisë e KFOR-it, akte terroriste, të plagosur e të vrarë, si dhe shumë persona të arrestuar, janë ngjarje të cilat karakterizuan qytetin e Mitrovicës dhe veriun, gjatë vitit 2023.

Lumenjt Ibri dhe Lushta, që më 21 janar dolën nga shtrati, dëmtuan qindra shtëpi e biznese, infrastrukturë, toka bujqësore, ndërsa shkaktuan edhe rrëshqitje të dheut nëpër disa pjesë të territorit të kësaj komune, por për fat të mirë nuk pati humbje jetësh.

Vlera e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet në këtë komunë, përfshirë edhe ‘Lagjen e boshnjakëve’, e cila është nën administrimin e komunës së Mitrovicës Veriore, kishte tejkaluar shumën mbi 10 milionë euro, ndërsa të gjitha institucionet komunale (në të dy pjesët e qytetit) u angazhuan dhe u vunë në funksion me kapacitete të plota për gati një javë, në përpjekje të kthimit sado pak në normalitet  të jetës së qytetarëve.

Më 5 nëntor të vitit 2022, serbët u larguan nga institucionet e Kosovës, në shenjë pakënaqësie me një vendim të qeverisë për targat ilegale, si dhe suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili kundërshtonte zbatimin e urdhërit për këto targa.

Dorëheqjet kolektive të serbëve të veriut nga institucionet e Kosovës, fillimisht të kryetarëve të katër komunave, pastaj asamblistëve komunalë dhe zyrtarëve tjerë nga sektori i sigurisë dhe drejtësisë, që ndodhën më 5 nëntor 2022, krijuan vakum institucional dhe si rjedhojë shfaqën nevojën për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, të cilat u caktuan për datë 18 dhjetor të po atij viti.

Procesi në këtë datë u anulua, pas rritjes së tensioneve në atë pjesë. Tensionet vazhduan dhe kulmuan me disa incidente me armë zjarri dhe me vendosjen e barrikadave në rrugët që çonin drejt dy pikave kufitare me Serbinë, Jarinje dhe Bërnjak.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pati caktuar 23 prillin e vitit 2023, si datë të re për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, të cilat u bojkotuan gjerësisht nga popullata serbe atje. 

Sipas të dhënave të KQZ-së, në zgjedhje dolën 1 mijë 567 votues, apo 3.4 për qind e trupit zgjedhor, ndërsa postin e kryetarëve të komunave e fituan katër shqiptarë, dy nga Partia Demokratike e Kosovës dhe dy të tjerë nga Vetëvendosje.

Ceremonia e betimit të kryetarëve të rinj më 25 maj, (përveç atij të Mitrovicës Veriore që u betua një javë më herët), ngriti tensione në atë pjesë të vendit.

Disa kryetarë u detyruan që betimin ta bëjnë në objekte alternative, ndërsa të tjerët në objektet komunale, të cilat siguroheshin nga forca të shumëta të policisë dhe KFOR-it.

Protestuesit në komunat veriore, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, tashmë po kërkonin dorëheqjen e kryetarëve të rinj dhe tërheqjen e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga veriu.

Protestat e tyre po bëheshin çdo ditë e më të dhunshme, duke filluar kështu sulmet ndaj policisë, pjesëtarëve të KFOR-it, gazetarëve, dhe duke diegur automjetet e tyre.

Më 29 maj, eskaloi situata në Zveçan. Grupe kriminale të ardhura nga Serbia, sulmuan KFOR-in me armë zjari, shok-bomba, lëndë djegëse e mjete të forta.

Konfrontimi i tyre me ushtarët e KFOR-it, la të lënduar e të plagosur rreth 100 persona, 30 prej të cilëve të KFOR-it.

Protestat vazhduan me muaj, por përditë e më pak në numër të protestuesve, ndërsa pjesëtarët e policisë dhe të KFOR-it, vazhdonin detyrat e tyre, duke shpërfillur kështu kërkesat e protestuesve.

Mëngjesin e 24 shtatorit, vendi u trondit nga një sulm i një grupi terrorist prej rreth 100 personave në fshatin Banjskë të Zveçanit, të cilët kishin hyrë në Kosovë me armatim të rëndë nga territori i Serbisë.

Ata po udhëhiqeshin nga Milan Radojiçiq, nënkryetar i Listës Serbe, njëherësh pjesë e listës së zezë të SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Kapja e pjesshme e terrenit në veri ishte synimi i grupit terrorist, përmes vendosjes së pozicioneve të luftimit.

Një pjesë e tyre ishte vendosur në Manastirin e Banjskës  dhe përreth tij, teksa nga aty po vazhdonin të gjuanin në drejtim të forcave policore.

Si pasojë, i vrarë mbeti rreshteri i policisë, Afrim Bunjaku, u plagos polici Alban Rashiti, ndërsa një tjetër u lëndua.

Në anën tjetër, tre terroristë u vranë, një u plagos, ndërsa gjashtë të tjerë ishin arrestuar.

Vetëm pak ditë më vonë, Policia e Kosovës bëri të ditur se ka konfiskuar arsenal armësh që i përkiste këtij grupi në vlerë prej mbi 5 milionë euro, derisa dy pikat kufitare me Serbinë u mbyllën për një muaj. /A. Damati/

https://kosovapress.com/policia-pese-te-arrestuar-te-lenduar-disa-ushtare-kfor-it-ne-veri/
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024