Nga një muaj paraburgim pesë të arrestuarve për trafikim droge
Drejtat Autoriale
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Nga një muaj paraburgim pesë të arrestuarve për trafikim droge
Gjykata-Themelore-Prishtine1234
11/06/2026 - 16:56
Linku u kopjua

Gjykata Themelore në Prishtinë u caktoi masën e paraburgimit nga një muaj pesë personave të  arrestuar më 9 qershor gjatë operacionit të autoriteteve vendore dhe ndërkombëtare.

Gjykata njoftoi se masa iu shqiptua D.SH., R.R., B.D., B.I. dhe I.B, duke argumentuar se ekziston rreziku real që nëse ata lihen në liri “mund të arratisen me qëllim të fshehjes dhe ikjes nga përgjegjësia penale dhe të pengojnë rrjedhën normale të procedurës penale”.

“Gjykata gjithashtu konsideron se nëse të pandehurit lihen në liri, ekziston rreziku që të njëjtit do të pengojnë rrjedhën e procedurës penale, duke asgjësuar, fshehur, ndryshuar ose falsifikuar provat e veprave penale apo duke ndikuar edhe në dëshmitarë”, thuhet në njoftim.

Operacioni ndaj rrjetit të dyshuar kosovar të trafikimit të drogës u krye mëngjesin e së martës nga Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale, pas një hetimi trevjeçar të mbështetur nga Europoli – agjencia e zbatimit të ligjit e Bashkimit Evropian – dhe autoritetet e Belgjikës, Francës dhe Holandës.

I emërtuar “White Star” (Ylli i bardhë), operacioni pati si provë kryesore të dhënat e siguruara nga platforma Sky ECC, komunikimet në të cilën u dekriptuan nga autoritetet evropiane në vitin 2021.

Grupi dyshohet për trafikim të drogës dhe shpëlarje të parave.

Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale të dyshuarit që nga fillimi i vitit 2019 kanë marrë pjesë në veprimtarinë e një grupi të organizuar kriminal, që merrej me “blerjen, posedimin, shpërndarjen dhe shitjen e paautorizuar të narkotikëve”.

Në dosje thuhet po ashtu se grupi dyshohet se trafikonte kokainë nga shtetet e Amerikës së Jugut; heroinë nga Irani, Afganistani dhe Turqia; si dhe marihuanë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Spanja.

Sipas hetimeve, droga transportohej përmes kompanive transportuese drejt Serbisë, Bosnje e Hercegovinës, Kroacisë, Gjermanisë, Zvicrës, dhe vendeve të tjera të Bashkimit Evropian.

Sa i përket dyshimeve për pastrim parash, në dosjen e Prokurorisë thuhet se dyshohet që “fitimet e siguruara nga aktiviteti kriminal i transferonin në biznese të ndryshme, të themeluara nga vetë të dyshuarit ose persona të afërt me ta”.

Një pjesë e mjeteve, sipas dokumentit të Prokurorisë, konvertohej në prona të luajtshme dhe të paluajtshme, përfshirë tokë, shtëpi, banesa dhe vetura.

Europoli njoftoi se grupi kriminal operonte nga Kosova, teksa anëtarët e tij koordinonin trafikimin ndërkombëtar të drogës, dhe menaxhonin pastrimin e fitimeve të paligjshme në disa shtete evropiane.

Në njoftimin e kësaj agjencie të BE-së është thënë se nga fillimi i hetimeve (të lidhura me platformën Sky ECC) janë hetuar 42 persona, janë kryer 76 kontrolle dhe janë sekuestruar pasuri me vlerë të vlerësuar të përgjithshme prej rreth 80 milionë eurosh.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026