Ka nisur sot edicioni i dytë i aktivitetit akademik “Ditët e Historisë”, ku u tha se studimi i historisë është i rëndësishëm për të kaluarn dhe të ardhmen, derisa u theksua se tanimë është rritur interesimi i studentëve për historinë.
Ky edicion është organizuar nga Departamenti i Historisë i Universitetit të Prishtinës në kuadër të Fakultetit Filozofik. Shefi i këtij departamentit të historisë, profesor Mentor Haziri, ka shpallur të hapura “Ditët e Historisë”, aktivitet që po organizohet me pjesëmarrjen e profesorëve, studiuesve, studentëve dhe mysafirëve nga rajoni.
Dekani i Fakultetit Filozofik, profesor Bekim Maliqi, theksoi rëndësinë e studimit të historisë dhe ndikimin e saj në ndërtimin e së ardhmes së shoqërisë.
Në kuadër të këtij aktiviteti “Ditët e Historisë”, u ndanë mirënjohje për studentët bursistë të departamentit, të cilat mbajnë emrin e heroit kombëtar dhe ish-studentit të historisë, Rustem Hyseni.Në kuadër të këtij aktiviteti sot është mbajtur një ligjëratë nga Selami Zalli, drejtor i drejtorisë së Kërkesave të Qytetarëve dhe Shërbimeve Rehabilituese pranë Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, i cili deklaroi se çdo qytetar ka të drejtë të informohet mbi dokumentacionin e krijuar nga ish-Sigurimi i Shtetit gjatë periudhës komuniste.
Ai theksoi se qëllimi i ligjit është njohja e së vërtetës historike, mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe shmangia e riviktimizimit të personave të prekur nga regjimi komunist.