Në prill, inflacioni në Gjermani 2.9 për qind, më i lartë nga janari 2024
Bota
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Në prill, inflacioni në Gjermani 2.9 për qind, më i lartë nga janari 2024
Inflation
12/05/2026 - 19:20
Linku u kopjua

Inflacioni në Gjermani arriti në 2.9 për qind në muajin prill.

Zyra Federale e Statistikave bëri të ditur se kjo normë ka arritur nivelin më të lartë që nga janari 2024.

“Inflacioni i përgjithshëm u rrit për të dytin muaj radhazi si rezultat i një tjetër rritjeje të çmimeve të energjisë, e shkaktuar nga lufta në Iran”, tha presidentja e agjencisë, Ruth Brand, raporton dpa, përcjellë KosovaPress.

Sipas saj, konsumatorët po e ndjejnë veçanërisht presionin e vazhdueshëm të çmimeve te karburantet”.

Pas sulmit të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit më 28 shkurt dhe bllokimit të mëvonshëm nga Teherani të Ngushticës së Hormuzit – një rrugë kyçe për tregtinë globale të naftës dhe gazit – inflacioni në Gjermani u rrit nga 1.9 për qind në shkurt, në 2.7 për qind në mars.

Krahasuar me marsin, çmimet në prill ishin 0.6 për qind më të larta, njoftoi autoriteti që ka selinë në Ëiesbaden.

Çmimet e energjisë në prill u rritën me 10.1 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kurse ato të karburanteve u ngjitën me 26.2 për qind dhe ato të naftës për ngrohje me 55.1 për qind. Në të kundërtën, sipas zyrës së statistikave, kostot e energjisë elektrike ranë me 4.5 për qind, ndërsa ngrohja qendrore u ul me 1.1 për qind.

Në përgjigje të rritjes së çmimeve të energjisë, qeveria gjermane ka tentuar të ulë kostot për shoferët përmes një subvencioni të përkohshëm për karburantet.

Megjithatë, edhe çmimet e ushqimeve u rritën “lehtë” në prill, me 1.2 për qind. Sheqeri, reçeli, mjalti dhe ëmbëlsirat e tjera u shtrenjtuan me 6.6 për qind, ndërsa çokollata u rrit me 9.7 për qind.

Mishi dhe frutat po ashtu u shtrenjtuan me nga 3.6 për qind.

Analiza e statistikave gjeti se shërbimet ishin 2.8 për qind më të shtrenjta në prill krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Kostot për mirëmbajtjen dhe riparimin e automjeteve u rritën me 5 për qind, vizitat në restorante me 3.2 për qind, ndërsa qiraja neto pa përfshirë ngrohjen u rrit me 1.8 për qind.

Por, ka edhe diçka që është liruar, sikur puna e disa shërbimeve, ku përfshirë pushimet turistike të organizuara, çmimet e të cilave ranë me 3.5 për qind.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026