Morina dhe Krasniqi: Psikologjia mund ta vendosë finalen e Botërorit
Sport
Lexohet për: 4 min.
Dëgjoje me zë...
Morina dhe Krasniqi: Psikologjia mund ta vendosë finalen e Botërorit
Në edicionin e fundit të emisionit sportiv Sportcast në KosovaPress, të ftuar ishin trajnerët dhe analistët e njohur sportiv Arbnor Morina dhe Ramiz Krasniqi.
Ata kanë analizuar finalen e madhe të Kampionatit Botëror që zhvillohet sonte mes Spanjës dhe Argjentinës. Spanjës që vjen si kampione në fuqi e Evropës dhe Argjentinës që synon të mbrojë titullin e botërorit, në një përballje që pritet të vendoset nga detajet dhe mbi të gjitha nga qëndrueshmëria mendore.
I ftuari i parë, Ramiz Krasniqi, theksoi se finalja do të jetë mbi të gjitha një luftë taktike ku nuk ka kthim mbrapa, por gabimi më i madh do të ishte ngarkesa e tepruar psikologjike për fitoren me çdo kusht.
Krasniqi:
Finalja kërkon angazhim, jo ngarkesë
"Mendoj se do të jetë një luftë taktike dhe aty nuk shkohet mbrapa, duhet luajtur për fitore. Gjithmonë është imperative fitorja sepse nuk ka xhiro tjetër, kjo është finale dhe këtu duhet dhënë maksimumi. Duhet të jesh maksimalisht i përqendruar dhe të mos ngarkohesh me mendimin se patjetër duhet fituar. Nuk duhet patjetër, duhet luajtur, duhet angazhuar dhe në momente të caktuara të shfrytëzohet ndonjë moment gabimi apo jopërqendrimi i kundërshtarit, me bashkëpunimin e bashkëlojtarëve, për të ardhur në situatë për të dënuar kundërshtarin dhe normalisht për të finalizuar. Nëse ngarkohen tepër, atëherë edhe atë që e dinë do ta kenë me shumë gabime. Po flas nga përvoja, sepse kemi luajtur shumë gjatë dhe na ka ndodhur që në ndeshjet ku kemi menduar se duhet dhënë maksimumi, ka dalë e kundërta. Pra, luan rol aspekti psikologjik."
Ndërkaq, Arbnor Morina u ndal te lodhja fizike dhe mentale e akumuluar gjatë një muaji Botëror, pas një sezoni me mbi 85-90 ndeshje për lojtarët. Sipas tij, qetësia do të bëjë diferencën mes fituesit dhe pjesëmarrësit në finale.
Morina: "Ata që janë më të qetë në lojë, bëjnë më pak gabime"
"Këtu ose fiton ose humb, barazim nuk ka. Do të thotë, tash përveç krejt elementeve taktike të cilat janë prezente, vjen edhe inspirimi. Ka futbollistë që kanë nevojë për inspirim, për një shtytje morale më të madhe, ka dikush që e përjeton në mënyrë më të qetë dhe tash krejt këto gjëra ndikojnë. Ata që janë më të qetë në lojë, bëjnë më pak gabime. Ata që janë më të ngarkuar psiqikisht se çfarë duan të bëjnë në lojë, mund të bëjnë gabime që mund t'i kushtojnë ekipit. Ana psikologjike është një prej faktorëve kyç. Pse? Sepse e kanë bërë tanë këtë rrugëtim një muaj me stërvitje, me udhëtime prej qytetit në qytet, jashtë familjeve. Kanë ardhur prej kampionateve të veta ku i kanë luajtur 85, 90 lojë, që janë shumë. Po luajnë prapë një muaj dhe u ka ardhur momenti i fundit, ku ose kanë me u mbajt në mend si fitues ose vetëm si pjesëmarrës në finale."
Në fund, të dy analistët u pajtuan se në një finale si Spanjë - Argjentinë, ku cilësia teknike dhe taktike është e barabartë, faktori kryesor do të jetë menaxhimi i presionit.
Spanja kërkon të konfirmojë dominimin evropian edhe në skenën botërore, ndërsa Argjentina kërkon të shkruajë historinë duke mbrojtur titullin. Sonte, më shumë se taktika, do të flasë koka e qetë.
KosovaPress