Klubi i basketbollit Bashkimi, ka bërë të ditur një hap të rëndësishëm drejt modernizimit dhe zhvillimit afatgjatë, duke prezantuar projektin për renovimin e hapësirave të reja në Qendrën Sportive “Sezai Surroi”.
Sipas njoftimit zyrtar të klubit, këto ambiente do të jenë në shërbim të lojtarëve, stafit teknik dhe administratës, dhe pritet të përfundojnë para fillimit të sezonit 2026/27. Projekti përfshin ndërtimin e zhveshtoreve moderne, sallës për takime të ekipit, dhomës së fizioterapisë, hapësirës për rikuperim me ice bath, palestrës, si dhe zyrave dhe hapësirave administrative.
Nga klubi theksojnë se ky investim po realizohet me mjete personale të anëtarëve të kryesisë, jashtë buxhetit të klubit, me synimin për të krijuar kushte sa më profesionale dhe në përputhje me standardet evropiane.
“Këto hapësira do të krijojnë një ambient profesional për lojtarët dhe stafin, duke e afruar klubin tonë me standardet që aplikohen në organizatat serioze sportive evropiane”, bëhet e ditur në postimin e KB Bashkimit.KB Bashkimi e ka cilësuar këtë investim si një hap të rëndësishëm për të ardhmen e klubit, duke theksuar se synon të vazhdojë ngritjen e standardeve dhe forcimin e pozitës si një nga klubet më të rëndësishme në vend.
KosovaPress