Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) konfirmon praninë e sëmundjes “Lija e Deleve/Dhive (Sheep Pox/Goat Pox)” në një fermë të deleve në fshatin Delloc, Komuna e Suharekës.
Sipas AUV-së, mostrat e marra dhe të analizuara në Laboratorin e Ushqimit dhe Veterinarisë kanë vërtetuar praninë e kësaj sëmundjeje. Menjëherë pas konfirmimit, ekipet e AUV-së, në bashkëpunim me veterinerët privatë dhe akterët e tjerë relevantë, kanë ndërmarrë masat e nevojshme për kontrollimin e situatës dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të sëmundjes.
Masat zbatohen në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, ndërsa varësisht nga situata ato mund të ndryshojnë.
“Sipas vendimit: Ndalohet lëvizja e deleve dhe dhive nga fermat, tregtimi në tregje dhe shitblerja e tyre; Fermat ku konfirmohet sëmundja vendosen në izolim dhe karantinë të plotë, me ndalim të hyrje-daljeve; Fermerët obligohen që për çdo ndryshim të gjendjes shëndetësore të kafshëve të njoftojnë menjëherë veterinerin; Praktikat veterinare obligohen të zbatojnë protokollet veterinare për parandalimin dhe luftimin e sëmundjes; Fermerët duhet të aktivizojnë masat e biosigurisë në fermat e tyre; Komunat duhet të përcaktojnë lokacionet për groposjen e kafshëve të ngordhura; AUV do të vazhdojë hulumtimin epidemiologjik, marrjen e mostrave dhe testimet laboratorike. Përjashtimisht, lejohet lëvizja e kafshëve nga fermat e lira nga kjo sëmundje deri në thertore të licencuara, me pëlqimin paraprak të inspektorit veterinar të AUV-së”, thuhet në njoftim.Masat hyjnë në fuqi menjëherë.
Lija e deleve dhe dhive është një sëmundje virale shumë ngjitëse që prek delet dhe dhitë. Ajo shkaktohet nga një virus i familjes Capripoxvirus dhe konsiderohet ndër sëmundjet më të rënda për këto specie.
AUV thekson se kjo sëmundje nuk është zoonotike, nuk përbën rrezik për shëndetin e njerëzve dhe nuk transmetohet nga kafsha tek njeriu.