Me pankarta dhe flamuj në duar, qytetarët në ditën e 7-të të protestës në Shqipëri
Përfaqësues të shoqërisë civile, aktivistë dhe qytetarë u mblodhën edhe këtë të shtunë në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, nga ku marshuan në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në ditën e 7-të të protestës për çështjen e zonave të mbrojtura.
Me flamuj dhe pankarta në duar, pas marshimit në bulevard, protestuesit u ndalën para godinës së Kryeministrisë.
Ata bënë thirrje të ndryshme si: “Poshtë Komunizmi”, “Rama në burg, Berisha në burg”, “Shqipëria e shqiptarëve, jo e tradhtarëve”, “Dorëheqje, dorëheqje”.
Protesta janë mbajtur edhe në qytete të tjera të vendit nisur me Shkodrën, ku qytetarët e saj kanë nisur marshimin duke mbajtur në duar pankarta me mesazhe të forta, marshim ky i cili ishte i paralajmëruar.
Mjaft protestues janë mbledhur edhe në Elbasan këtë të shtunë, protestë e cila nisi kundër ndërtimit në zonën e Zvërnecit duke kaluar në pika të tjera që edhe Elbasani kërkon ti ndryshojë.
Në qytetin e Korçës sot është dita e dyta e zhvillimit të protestës, ku qytetarë dhe aktivistë kanë dalë në rrugë dhe kanë bllokuar Bulevardin kryesor të qytetit. Gjatë tubimit, protestuesit kanë kënduar dhe kanë bërë thirrje që qytetarët të lënë lokalet dhe t’u bashkohen protestës.
Protestues ka patur edhe në sheshin qëndror të Fierit. Qytetarët i kanë bërë thirrje njëherazi kryministrit Rama të ballafaqohet me qytetarët e revoltuar.
Ndërkohë, tubimet kanë vijuar edhe jashtë vendit, ku mjaft shqiptarë të diasporës janë mbledhur në Londër. Me flamuj kuqezi dhe pankarta, protestuesit marshuan në kryeqytetin britanik për të shprehur po të njëjtat qëndrime dhe kundërshtime.
Në Vjenë dhe Frankfurt është krijuar një atmosferë e tillë gjithashtu ku shqiptarët brohorasin dhe ngrenë flamurin shqiptar, teksa njëzëri thërrasin: “O sa mirë me qen shqiptar”, kjo në mbështetje dhe të protestave të bëra edhe ditët e shkuara në Shqipëri, shkruan Euronews Albania, përcjell KosovaPress.
Prej ditësh, qytetarë dhe aktivistë kanë protestuar në kryeqytet ndërsa kanë artikuluar pesë kërkesa kryesore: dorëheqjen e kryeministrit; shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investitorët strategjikë; shfuqizimin e Paketës së Maleve; anulimin e ndryshimeve në ligjin për Zonat e Mbrojtura; si dhe anulimin e ndryshimeve në ligjin për Trashëgiminë Kulturore.