Gordana Nedelkoviq dhe Mirosllav Ristiq nga territori i komunës së Graçanicës janë njoftuar se janë shkarkuar nga puna, për faktin se, siç thonë vetë ata, nuk e mbështesin Listën Serbe, por Partinë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë të Nenad Rashiqit.
Nedelkoviq, deri më 14 maj, ka punuar si teknike laboratori në Qendrën e Shëndetit në Graçanicë, ndërsa Ristiq ka qenë i punësuar në Shkollën e Mesme Elektroteknike si profesor i mësimit praktik, shkruan REL.
Dy persona të tjerë, të punësuar në institucionet e Serbisë në Kosovë, konfirmuan gjithashtu për Radion Evropa e Lirë se janë dëbuar nga puna për arsye politike, por kërkuan të mbeten anonimë.
Gordana Nedelkoviq thotë se, pas 35 vjetësh përvojë, ka mbetur e papunë, sepse bashkëshorti i saj, Aleksandar, është politikisht aktiv në Partinë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ata thonë se do të tentojnë t’i kundërshtojnë në gjykatë vendimet për largim nga puna.
“E mora vendimin të enjten, ku thuhet se merrem me politikë, se përhap nacionalizëm dhe gjuhë urrejtjeje. Asgjë nuk lidhet me punën time”, thotë Nedelkoviq.