LDK prezanton kandidatet për deputete, Abdixhiku premton fuqizim ekonomik për gratë
Zgjedhjet 2026
Lexohet për: 4 min.
Dëgjoje me zë...
LDK prezanton kandidatet për deputete, Abdixhiku premton fuqizim ekonomik për gratë
forumi i gruas
30/05/2026 - 14:48
Linku u kopjua

Forumi i Gruas i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka prezantuar sot kandidatet për deputete të kësaj partie, duke theksuar rolin e grave në politikë, ekonomi dhe vendimmarrje.

Në këtë aktivitet, kryetarja e Forumit të Gruas të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, tha se gratë në Kosovë nuk kanë nevojë për mëshirë apo premtime boshe, por për mundësi konkrete që t’i zhvillojnë potencialet e tyre.

Ajo kritikoi qasjen e pushtetit aktual ndaj grave, duke thënë se ato po trajtohen si përfituese të ndihmave dhe jo si faktor kyç i zhvillimit të vendit.

“Gruaja e Kosovës nuk ka nevojë për mëshirë. Gruaja e Kosovës nuk ka nevojë për lëmoshë. Gruaja e Kosovës nuk ka nevojë për premtime boshe. Gruaja e Kosovës ka nevojë për mundësi. Ka nevojë për punë para së gjithash. Ka nevojë për pagë dinjitoze. Ka nevojë për çerdhe e për shkolla me mësim të ditur që ajo të mos mbetet peng i shtëpisë dhe i detyrave të shtëpisë e fëmijëve. Ne nuk duam që vajzat tona të jenë të papuna. Ne duam që vajzat tona të hapin biznese. Ne duam që vajzat tona të bëhen mjeke, profesoresha, inxhiniere, sipërmarrëse, udhëheqëse. Ne nuk duam që gratë të mbesin të mbyllura në shtëpi. Ne duam dhe angazhohemi që t’i shohim ato në vendet e punës, në institucione, në ndërmarrje dhe para së gjithash në pozita vendimmarrëse”, u shpreh ajo.

Lushaku-Sadriu tha se platforma e LDK-së për gratë është e fokusuar në punësim dhe fuqizim ekonomik, duke shtuar se gratë nuk duhet të detyrohen të zgjedhin mes familjes dhe karrierës.

Ajo tha se “Gruaja nuk duhet të zgjedhë mes familjes e mes karrierës, ajo duhet t’i ketë paralelisht të dyja.

Ndërkaq, kryetari i LDK-së dhe kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, tha se Kosova nuk mund të pranojë faktin që një pjesë e madhe e grave mbeten jashtë tregut të punës.

Ai tha se LDK-ja ka paraparë investime prej një miliard eurosh për krijimin e mundësive të reja ekonomike dhe rritjen e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës.

“Flasim për vajzat e Kosovës sepse si pjesë e kësaj shoqërie ku po i rrisim edhe vajzat tona, nuk mund të pranojmë idenë që 65 për qind e grave në Kosovë janë joaktive. Renditemi me nivelin më të ulët e më të prapambetur në botë dhe nuk dua Kosova ime, s’duan vajzat e mia, t’u takojë vajzave tona kjo gjendje. Nuk mund të pranojmë idenë e vajzave të reja që diskriminohen në punësim, varësisht nga planifikimi i martesës apo krijimit të familjes. Prandaj kemi paraparë shtimin e Inspektoratit të Punës nga 40 inspektorë sa janë sot në 400 të tjerë, që asnjë vajzë e re të mos diskriminohet në vendin e punës. Do të bëjmë njësinë e veçantë të mbrojtjes policore, e cila do të ketë një detyrë të vetme, të trajtojë çdo rast të mundshëm para se të ndodhë dhuna ndaj gruas”, u shpreh ai.

Duke folur për përfaqësimin e grave në strukturat e partisë, Abdixhiku tha se në listën e ardhshme të LDK-së për deputetë do të jenë 38 gra, ndërsa përmendi edhe komunat ku gratë përfaqësohen në mënyrë të barabartë ose shumicë në kandidaturat lokale.

Ai shtoi se përparësia e listës së LDK-së do t’i jepet grave që, sipas tij, përfaqësojnë modelin e suksesit dhe të përkushtimit në shoqëri.

Kandidatja për Presidente nga LDK, Vjosa Osmani tha se fuqizimi i grave lidhet drejtpërdrejt me zhvillimin e familjes, shoqërisë dhe shtetit, duke ftuar gratë dhe vajzat që të vazhdojnë angazhimin e tyre për ndërtimin e një Kosove më të drejtë dhe më të barabartë.

Osmani vlerësoi kontributin e grave në fusha të ndryshme të jetës publike. Ajo foli edhe për sfidat me të cilat përballen gratë në jetën publike, veçanërisht në mbrojtjen e së vërtetës dhe luftimin e dezinformimit.

Në fund të aktivitetit u prezantuan kandidatet për deputete të kësaj partie.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026