Ministri i Bujqësisë, Armend Muja, ka paralajmëruar zgjerimin e mbështetjes për vendosjen e rrjetave mbrojtëse kundër breshrit, skemën e sigurimeve bujqësore dhe krijimin e një Qendre të Paralajmërimit të Hershëm për Fermerët, pas dëmeve të shkaktuara nga moti në Komunën e Istogut.
Gjatë vizitës te fermerët e prekur në këtë komunë, ai tha se dikasteri qe e drejton po e shqyrton ngritjen e një sistemi që do t'u ofrojë fermerëve paralajmërime meteorologjike në kohë reale, në mënyrë që ata të marrin masa mbrojtëse para goditjes së fenomeneve ekstreme të motit.
"Ndryshimet klimatike kërkojnë një qasje të re. Synimi ynë është të ndërtojmë një bujqësi më të qëndrueshme përmes investimeve në parandalim, sigurime bujqësore, infrastrukturë mbrojtëse, sisteme të paralajmërimit të hershëm dhe këshillim profesional. Sistemi ynë i mbështetjes po përshtatet vazhdimisht për t'iu përgjigjur sfidave që sjell klima dhe për të mbrojtur fermerët e Kosovës", deklaroi ministri Muja, transmeton KosovaPress.
Sipas tij, Instituti Bujqësor i Kosovës dhe Shërbimi Këshillimor Bujqësor do të angazhohen në terren për të ofruar këshilla profesionale për fermerët e dëmtuar mbi masat agroteknike që duhet të ndërmerren pas breshrit, me synim rikuperimin sa më të mirë të prodhimit.Gjatë vizitës në Istog, ministri u njoh nga afër me dëmet e shkaktuara nga breshri në kulturat bujqësore dhe theksoi se hapi i parë institucional është vlerësimi profesional i dëmeve nga Komisioni Komunal për Vlerësimin e Dëmeve, duke përshëndetur faktin që ky komision tashmë është themeluar nga Komuna e Istogut.
Ai nënvizoi se ndryshimet klimatike po rrisin frekuencën dhe intensitetin e fenomeneve ekstreme të motit, teksa premtoi se politikat e Ministrisë do të fokusohen gjithnjë e më shumë në parandalim, përshtatje dhe menaxhim të rrezikut, krahas adresimit të pasojave. /Kosovapress/