Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e ka quajtur konstruktiv takimin me liderin e PDK-së, Bedri Hamza, por tha se nuk u arrit ndonjë marrëveshje për t’i formuar institucionet e reja.
Ai shtoi se institucionet e reja duhet të formohen në përputhje me vullnetin qytetar në zgjedhjet e 7 qershorit.
Kurti sërish theksoi nevojën që të arrihet një pajtim i gjerë për presidentin, derisa përsëriti frazën që për të parin e vendit duhet siguri prej 84-85 deputetëve.
Ai foli edhe për refuzimin për takim nga kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, gjë e cila sipas tij nuk duhej të ndodhte.Ai tha se përgjegjësi e tij si fitues i zgjedhjeve të 7 qershorit është formimi i qeverisë, por shtoi se zgjedhja e presidentit është përgjegjësi edhe e partive të tjera parlamentare.
Sipas tij, presidenti i ardhshëm duhet të jetë një figurë konsensuale me vlera të dëshmuara kombëtare e profesionale.
KQZ certifikoi rezultatet e zgjedhjeve të 7 qershorit të mërkurën. Nga këto zgjedhje, parti e parë ka dalë Lëvizja Vetëvendosje me 47.13%, apo 53 ulëse në Kuvend. E dyta, Partia Demokratike e Kosovës, me 19.44%, apo 22 deputetë. Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës, me 16.69%, ka fituar 18 ulëse, si dhe Aleanca, me 6.74%, shtatë ulëse. Kurse komunitetet joshumicë kanë siguruar 20 ulëse. /KosovaPress/